Elbasani, Rama: PS është vënë në shënjestër, patronazhistët e PD janë të armatosur dhe vrasin njerëz

Ngjarja e rëndë që ndodhi në Elbasan, mesditën e sotme, ku mbeti i vrarë me armë zjarri eksponenti i PS-së, Pjerin Xhuvani tronditi vendin vetëm tre ditë para zgjedhjeve.
Në një intervistë për emisionin “Real Story” në News24, Rama tha e PS është vënë në shënjestër për arsye se ka një organizim tipik të partive të mëdha në të gjithë botën.
Po ashtu kryeministri reagoi edhe për deklaratën e shkurtër të dhënë nga demokrati Gazment Bardhi, i cili fajësoi grupet e PS për ngjarjen e rëndë, ndërsa viktima ende ndodhej në vendin e ngjarjes dhe nuk ishte marrë nga ambulanca.
Rama: Të gjithë qytetarët ta mendojnë për një moment sikur kjo ngjarje të ishte zhvilluar në kahe të kundërta dhe sikur furgonë të ngjashëm me ata të policisë të kishin mbërritur në cilindo qytet duke pasur brenda një strukturë paramilitare me ish oficerë policie dhe të kishin logon e PS, të ndalonin njerëzit në rrugë dhe t’u kërkonin hesap apo të vinin vërdallë në pika të ndryshe duke krijuar një situatë të paimagjinueshme.
Dhe imagjinoni sikur nga furgonët me paramilitarë të loguar si të PS të qëllohej me armë dhe të vritej, plagosej një efektiv politike dhe mu aty pranë kufomës Taulant Balla të mbante një fjalim, të merrte vrasësin dhe të largohej.
Ne jemi vënë në shënjestër për arsye se kemi një organizim që është tipik i partive të mëdha dhe serioze të të gjithë botës me patronazhistë që komunikojnë me qytetarë, ndërkohë që patronazhistët e PD-së janë të armatosur dhe shkojnë aty sa vrasin njerëz.


