Dosjet e legalizimit/ Ulsi Manja jep njoftimin: Do të kompesohen 15 mijë pronarë, ja kush do të ketë përparësi

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë një konference për shtyp, ka njoftuar kompesimin në vlera të caktuara parash dhe sipërfaqe prone për 5200 dosje të ish-pronarëve ose 15 mijë individëve, në kuadër të procesit të legalizimit. Vlera totale e fondit financiar që është parashikuar për kompesimin e këtyre individëve është 30 milionë euro.
Manja tha se nga ky proces që nis sot dhe pritet të përfundojë të enjten, do të përfitojnë 15 mijë individë, të cilët si kompesim do të marrin vlerën e përllogaritur nga vlerësimi i Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP).
Pjesë e këtij procesi janë bërë raste të përzgjedhura në rend kronologjik që nga viti 2010 deri në vitin 2024. Kompesim nuk do përfitojnë ata subjekte, të cilët nuk kanë dorëzuar në kohë dokumentacionin ose kanë mangësi të tyre në dosje. Të gjithë ata që kanë arritur të rifreskojnë në kohë dokumentacionin, do të jenë pjesë përfituese e kësaj skeme.
Gjithashtu ai theksoi se përparësi në këtë proces kanë familjet me shumë pjesëtarë, kategoritë vunerabël si dhe komunitetet fetare.
"Sot, starton ky proces i cili do të finalizohet deri të enjten dhe secili nga 15 mijë individët do të ketë masën e kompensimit në vlerë sipas asaj që është përllogaritur nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Në këto 5200 dosje që përfitojnë këtë masë kompensimi është ndjekur në rend kronologjik nga viti 2010-2024. Jo të gjithë subjektet ndër vite që kanë aplikuar dhe kanë marrë masën 70% përfitojnë nga ky kompensim, se një pjesë e dosjeve vërtetë kanë marrë 70%, por kanë pasur mangësi në dokumentacion, mos depozitimi në kohë i dëshmive të trashëgimisë.
Pjesa tjetër me rifreskimin e dokumentacionit, dhe ata do të jenë përfitues të kësaj mase kompensimi. Pasqyrë të shkurtër të punës dhe veprimtarisë. Ish-pronarë që kompensohen në vlerë dhe sipërfaqe prone, për shkak se prona është zënë nga ndërtime publike dhe ish pronarë që prona e tyre është zënë për shkak të ndërtimeve informale", tha Manja.


