Deputetët e rinj "nën lupën e drejtësisë"? Reagon SPAK: Asnjëri prej 140 ligjvënësve nuk është nën hetim

Politikë

Deputetët e rinj "nën lupën e drejtësisë"?

Politikanët mund të rrinë të qetë edhe për disa kohë nga SPAK-u. Të paktën ata që nuk ëndërrojnë të bëhen ministra. Një lajm i mirë vjen nga Prokuroria e Posaçme, nga ku, zakonisht, janë mësuar të dëgjojnë akuza për korrupsion, pastrim parash, shkelje në tendera dhe pengim të drejtësisë akuza që u ngritën zyrtarisht për këtë vit ndaj katër prej tyre dhe konkretisht ndaj Ilir Metes, Erjon Velise, Monika Kryemadhit e Klotilda Bushkës.

Dy të tjerë ish kryeministri Sali Berisha dhe Fatmir Mediu janë dorëzuar më herët si të pandehur në gjykatë. Sakaq për 140 deputetët e mandatuar të Kuvendit të Shqipërisë pas 11 majit, SPAK nuk ka regjistruar asnjëri prej tyre si person nën hetim.

Top Channel e mori këtë përgjigje nga SPAK-u, pasi i dërgoi emrat e deputetëve të shpallur fitues nga KQZ-ja. Për shkak të shumë akuzave publike nga të gjitha palët, të ngritura veçanërisht, para zgjedhjeve, pyetja ishte direkt: A ka deputetë nën hetim? Përgjigja e SPAK-ut nuk ishte aq e drejtpërdrejtë, por, tani për tani, mjaftueshmërisht e kënaqshme për politikanët e vjetër dhe të rinj, në maxhorancë dhe në opozitë.

“Emrat e përfshirë në listat e dërguara, nuk rezultojnë të jenë regjistruar deri tani si persona në hetim në regjistrin e njoftimit të veprave penale, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thotë SPAK për Top Channel.

Top Channel u konsultua me ekspertë penalistë për përgjigjen jodirekte të SPAK-ut, i cili nuk konfirmon a është dikush nën hetim, por thekson se zyrtarisht të 140 emrat nuk janë të regjistruar si emra nën hetim. Ekspertët thonë se praktika e deritanishme e SPAK-ut ka treguar se prokuroria e Posaçme regjistron një çështje pa emër konkret, mbledh prova rreth saj dhe më pas sapo e regjistron emrin në regjistrin e njoftimit të veprave penale jo shumë larg nga ky veprim ngre akuzën qoftë edhe ndaj një politikani.

Deri tani, siç i pëlqen SPAK-ut ta vërë në dukje, nuk ka një regjistrim penal për ndonjë nga 140 deputetët e zgjedhur. Që do të thotë se deputetët socialistë, tani për tani, mund të presin me më pak stres përbërjen e re të kabinetit qeveritar, ndarjen e pushtetit në mandatin e katërt dhe ecurinë e karrierës në parti. Ndërsa deputetët e opozitës, mund të bëjnë të qetë strategjinë kundër qeverisë 2025-2029.

 

 

 

 

 

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion