Deputetët e opozitës me pankarta në Kuvend: Edhe Rama në burg si McGonigal

Deputetët e opozitës kanë shkuar sot në Kuvend me pankarta me mesazhe kundër qeverisë.
“Na duhet qeveri, jo kartel”, “Vrasës i pluralizmit”, ‘Gjykatat e Shqipërisë, apo gjykatat e Ramës”, “Edhe Rama, në burg si Mcgonigal”, “Na ktheni atë që është e jona!“, janë disa nga mesazhet që kanë zgjedhur opozitarët sot, në kuadër të protestës së tyre që vijon prej disa kohësh.
Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare me rend dite shqyrtimin e disa projektligjeve si ai i ratifikimit të marrëveshjes së financimit me Francën për programin (lnterreg VI-B) Euro Mesdhe (EURO MED) 2021-2027.

Në kalendar është edhe ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Republikën e Shqipërisë.
Në rendin e ditës është Akti Normativ për shtesa dhe ndryshime në buxhetin e vitit 2023, për shtesa dhe ndryshime në ligjin e tatimit mbi të ardhurat.
Po ashtu, pritet shqyrtimi i Aktit Normativ për masa urgjente për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotur. Kuvendi pritet të shqyrtojë dhe kalojë për votim dhe disa akte të tjera normative dhe projektligje.


