Berisha: U blenë vota me pagesa për personat me aftësi të kufizuar, 40 euro në mes të fushatës!

Ish-kryeministri dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për blerje masive të votave gjatë zgjedhjeve të 11 Majit, përmes një skeme që përfshinte pagesa direkte për persona me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.
Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se rreth 200 mijë qytetarë, përfshirë 164 mijë persona me aftësi ndryshe dhe mijëra kujdestarë të tyre, kanë përfituar nga një shpërblim prej 40 eurosh (4 mijë lekë) në kulmin e fushatës zgjedhore.
“Vendimi ishte marrë në dhjetor, por është zbatuar pikërisht gjatë fushatës. Ky është një krim elektoral i pastër”, – u shpreh Berisha.
Sipas tij, kjo është një tjetër provë e përdorimit politik dhe klientelist të fondeve publike për të manipuluar vullnetin e votuesve. Ai e quajti aktin “një farsë të shëmtuar zgjedhore” dhe tha se PD nuk e njeh dhe nuk do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve.
“Në vend që të rrisnin pensionet apo të vendosnin një minimum jetik, ata përdorin pagesa për të blerë vota, edhe nga shtresat më të pambrojtura”, – deklaroi ai.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën për këtë skemë dhe tha se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë, pa presion dhe pa manipulim financiar.


