Berisha shpërthen ndaj Ramës: Shqipëria digjej, ai i caktoi vetes pension 4 mln lekë! INSTAT gënjeu për eksportet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, akuzoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe institucionet shtetërore për manipulim dhe mashtrim ndaj qytetarëve.
Berisha tha se ndërsa vendi digjej nga zjarret, Rama i caktoi vetes një pension prej 4 milionë lekësh, duke e cilësuar këtë akt si “pafytyrësi të paprecedentë”. Ai paralajmëroi se kryeministri nuk do ta gëzojë këtë pension.
Ish-kryeministri sulmoi gjithashtu INSTAT, të cilin e akuzoi për gënjeshtra mbi shifrat e ekonomisë dhe eksportet shqiptare. Sipas tij, manipulimi i të dhënave është pjesë e një skeme për të mashtruar qytetarët dhe për të fshehur krizën reale që po kalon vendi.
Në vijim të deklaratës, Berisha e quajti farsë procesin zgjedhor të 11 majit, duke treguar pamje të reja nga qendra votimi, ku sipas tij u shkelën rregullat e procesit. Ai foli edhe për kartelet e drogës, duke akuzuar qeverinë se i mbron dhe i favorizon ato në kurriz të qytetarëve.
“Rama dhe INSTAT fshehën dramën e madhe të eksporteve, gënjyen qytetarët. Po fshehin dramën e ekonomisë shqiptare. Mallrat tranzit të Kosovës i cilësojnë si eksportet tona. Është ekonomia e narkoeuros, narkondërtimi. Nafta në Durrës merret me autobote. Vendi digjej nga zjarret, por Rama i caktoi vetes pensionin 4 mln lekë. Nuk do i gëzojë, e garantoj. Pensioni më i lartë në histori. Mbi 30 herë më e lartë se mesatarja, madje edhe se e vendeve të tjera. Ky ishte preokupimi veror i narkodiktatorit, pensioni i tij”, tha kreu i selisë blu.
Më tej Berisha iu rikthye zgjedhjeve të 11 majit dhe pretendimeve për farsën elektorale të qeverisë, duke shfaqur pamje nga dy qendra votimi, njëra prej të cilave në Zall-Bstar të Tiranës, ku tha se është votuar nga dy herë dhe madje nën diktimin e patronazhistëve socialistë.
Berisha u pyet nga gazetarët edhe për raportin përfundimtar të PD-së për zgjedhjet e 11 majit, por ai u përgjigj shkurtimisht:
“Raporti ynë është në përfundim dhe do i shpërndahet të gjitha kancelarive përkatëse nëpërmjet rrugës elektronike”.
Në lidhje me sezonin turistik Berisha akuzoi përsëri qeverinë dhe institucionet në varësi të saj për mashtrime me shifrat, ku tha se:
“Ata i numërojnë edhe udhëtarët si turistë në Rinas”.


