Berisha publikon fakte për manipulimin e votave të Diasporës: Rama shtetëzoi procesin e votimit nëpërmjet ...

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama për manipulim ekstrem të votës së diasporës në zgjedhjet e 11 majit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se dokumente të pakundërshtueshme faktojnë një “krim të shëmtuar kushtetues elektoral.Ai e cilësoi procesin si një akt të shtetëzimit të votës nëpërmjet korrupsionit masiv dhe e quajti “goditje të rëndë ndaj idealeve të lirisë së shqiptarëve”.
Sipas tij, manipulimi i votës së 340 mijë emigrantëve është i paprecedent dhe përfaqëson një akt hakmarrës ndaj qytetarëve. Berisha e quajti këtë proces një instrument të narkodiktaturës në Shqipëri. Ai u bëri thirrje qytetarëve të përgatiten për një betejë pa kompromis kundër qeverisë.
Berisha tha se procesi është shtetëzuar përmes mekanizmave korruptivë, përfshirë nënkontraktorë dhe ambasada. Ai paraqiti pamje ku, persona transportojnë dengje me vota drejt konsullatave. Berisha përgëzoi demokratët e Selanikut për dokumentimin e këtij manipulimi.
Ai akuzoi se edhe qendrat e bixhozit janë përdorur për ndërhyrje në procesin zgjedhor. “Siç e patë, ky ishte një proces i kontrolluar dhe i manipuluar nga fillimi në fund,” u shpreh Berisha.


