Berisha: Në korridoret e SPAK-ut gjeta dengje me narko-euro, institucioni ishte pushtuar nga paratë e drogës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar me akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), gjatë konferencës së tij për mediat, ku pretendoi se institucioni është i ndikuar nga paratë e drogës.
I pyetur nga gazetarët se çfarë kishte gjetur në korridoret e SPAK-ut gjatë paraqitjes së tij në institucion, Berisha u përgjigj:
“Në korridoret e SPAK-ut gjeta dengje të mëdha narko-eurosh. Kishte një dyndje me thasë saqë mezi kalova korridorin. Arka dhe thasë, thasë dhe arka plot e përplot me narko-euro. Me një fjalë, institucioni ishte tërësisht i pushtuar nga paratë e drogës.”
Berisha shtoi se, sipas pretendimeve të tij, prej të paktën një viti mbahen sekret emrat e “dy apo tre zyrtarëve të nivelit më të lartë” që, sipas tij, kanë udhëtuar me një fluturim çarter nga Tirana drejt Arubës, së bashku me biznesmenë.
“Aty, çuditërisht gjeta edhe gjykatës kushtetues”, u shpreh ai.


