Berisha: Ministri i Jashtëm kërcënon vëzhguesit ndërkombëtarë për të ndryshuar raportin e 11 Majit

Politikë

Berisha: Ministri i Jashtëm kërcënon vëzhguesit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur sot akuza të rënda ndaj qeverisë dhe procesit zgjedhor të 11 majit 2025, duke e cilësuar atë si “farsë elektorale” dhe “procesin më të diskredituar në 32 vite pluralizëm”. Në një deklaratë për media, Berisha publikoi një letër që sipas tij është dërguar nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, drejtuar përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit.

Në letrën e datës 12 maj, Hasani shpreh “shqetësim serioz” për paragrafin hyrës të deklaratës paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilën e cilëson “thellësisht negative dhe të pabalancuar”. Ai kërkon nga vëzhguesit që raportet e tyre të pasqyrojnë “me saktësi realitetet e vëzhguara në terren”. Dokumenti është adresuar për Farah Karimi, koordinatore speciale e OSBE-së, si dhe për përfaqësues të ODIHR-it, Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës.

Berisha e konsideron këtë veprim si “banditizëm diplomatik” dhe akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Hasani për ushtrimin e një presioni të paprecedent ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë për të zbutur kritikat në raportin final të misionit të vëzhgimit.

Kreu i PD rikujtoi edhe akuzat e mëparshme për manipulime në zgjedhjet e 11 majit, duke përmendur blerjen e votës, përdorimin e fondeve publike në mënyrë të paligjshme, armatosjen e patronazhistëve dhe manipulimin e votës së diasporës. Ai e përshkroi procesin zgjedhor si një proces të kapur nga një regjim që përdor shtetin për qëllime elektorale.

Autoritetet ndërkombëtare dhe institucionet shqiptare nuk kanë reaguar ende zyrtarisht për këto akuza të Berishës, ndërsa situata pritet të marrë zhvillime të mëtejshme në ditët në vazhdim.

ME TE LEXUARAT