Berisha: Do rrisim pagën mesatare në 1200 euro dhe atë minimale me 25% në tre muajt e parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka theksuar se qeverisja e PD-së do të sjellë ndryshime të shpejta dhe thelbësore për qytetarët shqiptarë. Gjatë një deklarate për mediat, ai theksoi se objektivi kryesor i opozitës është përmirësimi i kushteve ekonomike dhe rritja e nivelit të jetesës.
"PD angazhohet për një transformim të shpejtë dhe të thellë. Do të vendosim minimumin jetik, do të rrisim pagën minimale me 25% dhe do të arrijmë një rrogë mesatare prej 1200 eurosh – këto janë objektiva që do të realizohen brenda 3 muajve të parë të qeverisjes sonë," tha Berisha.
Berisha gjithashtu komentoi mbi situatën e ekonomisë shqiptare, duke kritikuar modelin aktual të zhvillimit. Sipas tij, Shqipëria, edhe pse një vend i pasur me burime natyrore, nuk arrin të sigurojë një nivel të mirëqenies për qytetarët e saj. "Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria, një vend i pasur me 28 mijë km², të prodhojë pasuri dhe begati për qytetarët e saj," theksoi ai.
Lideri i opozitës nuk la pa përmendur as sektorin e turizmit, duke e cilësuar atë të keqmenaxhuar dhe të ndërtuar mbi një platformë të tipit "kolonial". Ai solli si shembull diferencën mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në regjistrimin e netëve të fjetjes nga turistët, duke e konsideruar këtë si një tregues të qartë të administratës së dobët.
Berisha ngriti gjithashtu shqetësimin për rënien e investimeve të huaja dhe të eksporteve, duke e akuzuar qeverinë për mungesë të një vizioni ekonomik të qëndrueshëm. "Investimet e huaja? Askush nuk vjen të investojë në Shqipëri. Eksportet? Janë ulur me 32% krahasuar me vitin e kaluar," u shpreh ai.


