Nga antibiotikët te siguria e mishit dhe qumështit, në konsultim ligji për veterinarinë

Aktualitet

Nga antibiotikët te siguria e mishit dhe qumështit, në konsultim

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hedhur për konsultim publik, reformën për veterinarinë përmes projektligjit të ri “Për produktet mjekësore veterinare”, i cili synon të krijojë një kuadër modern dhe të unifikuar për kontrollin e barnave që përdoren tek kafshët, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e shëndetit publik dhe rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore.

Projektligji, i përfshirë në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2024–2026, përfaqëson një nga proceset më të rëndësishme të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian në kapitujt që lidhen me sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Ndryshe nga kuadri aktual, i cili mbështetet në dispozita të shpërndara dhe tashmë të tejkaluara nga zhvillimet evropiane, projektligji ndërton një sistem të plotë që mbulon të gjithë ciklin e jetës së një produkti mjekësor veterinar, nga autorizimi i tregtimit dhe prodhimi, deri tek përdorimi në fermë, monitorimi pas hedhjes në treg dhe kontrolli laboratorik.

Një nga risitë më të rëndësishme është forcimi i farmakovigjilencës veterinare. Për herë të parë krijohet një bazë qendrore kombëtare e të dhënave, e cila synon të komunikojë me sistemin evropian të farmakovigjilencës, duke mundësuar raportimin dhe analizimin në kohë reale të efekteve të padëshiruara të barnave veterinare. Ky mekanizëm e afron Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian në monitorimin e sigurisë së produkteve pas futjes në treg.

Projektligji përmban gjithashtu masa të forta kundër rezistencës ndaj antibiotikëve, një problem që Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron ndër kërcënimet më serioze për shëndetin global. Ai ndalon përdorimin rutinë të antibiotikëve për profilaksi në ferma, kufizon ndjeshëm përdorimin preventiv dhe vendos rregulla të reja për përshkrimin e tyre vetëm në raste të justifikuara mjekësore. Njëkohësisht, parashikohet mbledhja sistematike e të dhënave mbi përdorimin e antimikrobikëve sipas specieve dhe hartimi i Planit Kombëtar për kontrollin e rezistencës antimikrobike.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme është lufta kundër përdorimit të hormoneve dhe substancave të tjera që përdoren për të nxitur artificialisht rritjen e kafshëve. Projektligji vendos ndalim pothuajse të plotë për substancat me veprim hormonal, tireostatik dhe beta-agonistët, duke lejuar përdorimin e tyre vetëm në raste shumë të kufizuara terapeutike dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të veterinerit. Çdo trajtim duhet të regjistrohet, ndërsa kafshët duhet të identifikohen individualisht për të garantuar gjurmueshmërinë.

Në praktikë, kjo do të thotë se autoritetet do të kenë mundësi të ndjekin historikun e trajtimit të një kafshe deri në produktin final që arrin në treg, duke ulur ndjeshëm rrezikun që në mish, qumësht apo produkte të tjera me origjinë shtazore të gjenden mbetje të substancave të rrezikshme.

Projektligji vendos gjithashtu rregulla të reja për autorizimin e barnave veterinare. Në shumë raste, autorizimet do të kenë vlefshmëri të pakufizuar, duke reduktuar barrën administrative për operatorët ekonomikë, ndërsa procedurat për ndryshimet teknike thjeshtohen. Çdo produkt do të pajiset me identifikim unik të paketimit, një masë që synon të luftojë falsifikimin dhe tregtimin e barnave të pasigurta.

Një risi tjetër lidhet me tregtinë elektronike. Projektligji legalizon shitjen online të produkteve veterinare që nuk kërkojnë recetë, duke vendosur standarde të harmonizuara me Bashkimin Evropian dhe mekanizma për të garantuar që konsumatorët të blejnë vetëm nga platforma të autorizuara.

Në aspektin e sigurisë ushqimore, projektligji ndërton një sistem të detajuar për kontrollin e mbetjeve të substancave farmakologjikisht aktive në ushqimet me origjinë shtazore. Çdo substancë do të klasifikohet mbi bazën e një vlerësimi shkencor, duke përcaktuar kufijtë maksimalë të lejuar ose duke ndaluar plotësisht përdorimin e saj në rast se nuk garantohet siguria për konsumatorin. Nëse laboratorët zbulojnë nivele mbi kufijtë e lejuar, autoritetet do të nisin automatikisht hetime dhe masa administrative.

Ky sistem mbështetet në konceptin evropian “One Health” (“Një Shëndet”), sipas të cilit shëndeti i njerëzve, kafshëve dhe mjedisit janë të lidhur ngushtë. Për këtë arsye, projektligji nuk trajton vetëm barnat veterinare, por edhe ndikimin e tyre në biodiversitet, në sigurinë ushqimore dhe në mbrojtjen e mjedisit.

Reforma pritet të ketë ndikim edhe në sektorin blegtoral dhe atë të akuakulturës. Duke vendosur standarde të krahasueshme me ato të Bashkimit Evropian, Shqipëria synon të rrisë besueshmërinë e produkteve me origjinë shtazore, të përmirësojë konkurrueshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare dhe të krijojë kushte më të favorshme për eksport. /ekofin.al

ME TE LEXUARAT