Ambasadori i BE i përgjigjet Ramës: Mbështes SPAK, krimet zgjedhore duhen adresuar!

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato ka deklaruar se mbështet nismën e SPAK për të monitoruar krimet zgjedhore.
Gonzato tha se prokuroria e Posaçme nuk do të lejojë më blerjen e votës dhe keqpërdorimin e fondeve.
“Blerja e votës dhe presioni ndaj votuesve vijon të jetë problem në Shqipëri. Mirëpres nismën e ndërmarrë nga aktorët kryesorë, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, për të koordinuar përpjekjet e tyre para zgjedhjeve të 11 majit, për të adresuar krimet e mundshme zgjedhore, si garanci për besim në këto zgjedhje.
Dhe mezi po pres që të dëgjoj më shumë nga këto institucione lidhur me nismën e tyre dhe koordinimin.
Keqpërdorimi i burimeve administrative është një tjetër çështje e ngritur në raporte të ndryshme, si një çështje që kërkon më shumë vëmendje për të siguruar kushte të barabarta loje”, tha Gonzato në një takim të organizuar nga organizata të shoqërisë civile.


