Prokuroria e Tiranës regjistron kallëzimet e para për veprimet e policisë në protestat e studentëve

Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) kanë regjistruar 3 materiale kallëzuese për ngjarjet gjatë protestave, ku po verifikohen veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit. Mes rasteve që po hetohen janë dëmtimi i 19-vjeçarit Ledion Balla, të cilit iu thye këmba më 13 tetor, dhe ai i 21-vjeçarit Muhamed Skana, i cili u përplas në tokë nga policia teksa qëndronte në këmbë pranë Ministrisë së Arsimit.
Në një përgjigje për mediat, Prokuroria konfirmon se materialet lidhen me dëmtimin e dy të rinjve, por edhe me veprime të tjera të efektivëve gjatë protestave.
“Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, janë regjistruar 3 materiale kallëzuese lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë protestave. Materialet e regjistruara lidhen, ndër të tjera, me ngjarjet gjatë të cilave janë dëmtuar shtetasit L.B. dhe M.S., si dhe me veprime të tjera të kryera nga punonjës të Policisë së Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
19 vjeçari Ledion Balla pësoi frakturë në këmbë pranë Parlamentit. Në pamjet e publikuara, katër policë shihen duke e mbajtur nga gjymtyrët për ta transportuar drejt spitalit. I riu ka deklaruar se nuk ishte pjesë e protestës, por po kalonte rastësisht aty. Ende nuk janë sqaruar rrethanat e dëmtimit të tij. Pas publikimit të videos, nga detyra u pezulluan katër efektivët dhe shefi i Rendit në Komisariatin Nr. 1.
Ndërsa Muhamed Skana, 21 vjeç, u lëndua më 16 tetor pranë Ministrisë së Arsimit, pasi u përplas me forcë në asfalt gjatë ndërhyrjes së një polici. Ai pësoi dëmtime në kokë dhe në shtyllën kurrizore dhe u dërgua për trajtim në Spitalin e Traumës.
Një dosje e tretë është çelur për verifikimin e veprimeve të të gjithë punonjësve të policisë.
“Prokuroria Tiranë, në koordinim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po ndjek në vijimësi situatën e krijuar, me qëllim dokumentimin e çdo rasti të mundshëm të shkeljes së ligjit dhe kryerjen e veprimeve përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin zyrtar./

