Plag'osi 22-vjeçarin dhe i vodhi makinën, tentoi të largohej nga Shqipëria por 47-vjeçari arrestohet në Rinas

Një 47-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri të një 22-vjeçari dhe vjedhjen e automjetit të tij është ndaluar në pikën kufitare të Rinasit, teksa tentonte të largohej nga Shqipëria.
Sipas Policisë, bëhet fjalë për Klodian Ndojn, banues në fshatin Sanxhak, i cili u lokalizua dhe u ndalua falë bashkëpunimit mes specialistëve për Hetimin e Krimeve të Rënda, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Policisë Kufitare në Rinas.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në muajin korrik, në fshatin Sanxhak të Kurbinit. Gjatë një konflikti për motive të dobëta, 47-vjeçari dyshohet se ka plagosur me armë zjarri 22-vjeçarin me inicialet V. P., dhe më pas i ka vjedhur automjetin.
Në muajin gusht, Gjykata e Lezhës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Pas ndalimit në Rinas, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Lezhë
Plagosi me armë zjarri, një 22-vjeçar 3 muaj më parë, në Sanxhak, dhe i vodhi automjetin, kapet në tentativë për të dalë jashtë shtetit, 47-vjeçari.
Si rezultat i koordinimit operacional dhe informativ, ndërmjet specialistëve për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, me shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Rinas, u ndalua në dalje të Republikës së Shqipërisë, shtetasi në kërkim, K. N., 47 vjeç, banues në fshatin Sanxhak.
Në muajin gusht të këtij viti, Gjykata e Lezhës i ka caktuar 47-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shtetasi K. N. akuzohet se në muajin korrik, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, shtetasin V. P., 22 vjeç, të cilit edhe i ka vjedhur automjetin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


