Gjatë ditës pritet përmirësim në disa zona... moti sot, 23 tetor 3026

Përmirësohet dukshëm situata sinoptike, duke bërë që kthjellimet dhe vranësirat e shpeshta të jenë dominante në pothuajse të gjithë territorin e vendit. Përjashtohen zonat verilindore dhe pjesërisht qendrore, ku vranësirat do të krijojnë mundësi për reshje të pakta shiu gjatë orëve të para të mëngjesit.
Sipas MeteoAlb, orët vijuese sjellin ndërprerje të reshjeve në të gjithë vendin tonë, duke sjellë edhe intervale me diell përgjatë mesditës.
Po ashtu, pasditja dhe mbrëmja do të mbeten nën dominimin e kthjellimeve dhe vranësirave të shpeshta, por pa reshje në të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstreme ditore, duke u luhatur nga 7 °C temperatura më e ulët, deri në 23 °C vlera maksimale në rang vendi.
Era do të fryjë mesatare me shpejtësi deri në 45 km/h nga drejtimi verior. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim mbi 2 ballë.


