Pedagogu rrëfen “mjerimin” e studentëve: Flenë në auditore, universitetet janë kthyer në agjenci punësimi për Gjermaninë

Protestat e fundit studentore në kryeqytet kanë nxjerrë në dritë një krizë shumë më të thellë sesa thjesht pakënaqësitë mbi tarifat. Është një krizë e plotë besimi ndaj institucioneve, një revoltë e akumuluar e cila buron nga veshët e shurdhër të një qeverie që duket se vetëm ironizon, ndërsa rinia po shkatërrohet nën peshën e fiktivitetit dhe kostove të larta.
Sipas pedagogut Sandër Kovaçi, kushtet me të cilat përballen sot studentët në Tiranë janë të mjerueshme, duke i detyruar ata të punojnë nga 8 orë në ditë vetëm për të mbijetuar, për të paguar qiratë dhe tarifat stratosferike të universiteteve.
Në një intervistë për “Ora News” Kovaçi theksoi se kjo rraskapitje fizike bën që një numër i madh studentësh të flenë nëpër auditore pasi kanë përfunduar turnet e natës. Ndërkohë, një krahasim me Prishtinën tregon një realitet krejt tjetër: atje një student mund të përballojë muajin me vetëm 35 euro falë mbështetjes shtetërore, mensave publike dhe një infrastrukture të mirëfilltë kampusi që në Shqipëri duket si një ëndërr e largët.
Akoma më tronditës është fakti se si është katandisur tregu arsimor. Aktualisht, në vend operojnë 41 institucione të arsimit të lartë, shumica prej tyre private, të cilave u janë dhënë licenca pa asnjë kriter. Godina të thjeshta lëshojnë diploma inxhinierie apo mjekësie, ndërkohë që mbi 30 prej këtyre universiteteve kanë hapur degë për infermieri. Kjo lëvizje masive nuk bëhet për të ndihmuar spitalet shqiptare, por sipas ekspertëve, shërben si një biletë e sigurt për t’i dërguar këta të rinj në Gjermani apo vende të tjera evropiane. Në këtë mënyrë, i gjithë shteti po kthehet në një mekanizëm shpopullimi, duke prodhuar infermierë që bëjnë praktikën pa kushte minimale dhe largohen me të marrë një copë letër.
Sistemi privat i pakontrolluar, ku disa marrin të drejtën të japin deri edhe doktoratura vetëm falë lidhjeve me pushtetin, ka rrafshuar gjithashtu standardin e universiteteve publike. Profesorët në shtet kanë frikë të kërkojnë cilësi dhe rregulla, sepse studentët mund t'i braktisin menjëherë për të blerë një diplomë të lehtë në institucionet private.
Megjithëse fillimisht i paragjykuar si pasiv, brezi i ri (Gjenerata Z) ka treguar pjekuri të lartë gjatë këtyre protestave, duke artikuluar kërkesa të qarta e duke refuzuar të braktisë Shqipërinë. Por përtej tarifave, studentët kanë goditur thelbin e problemit: politikën. Zemërimi i tyre po kërkon rrotacion thelbësor të një klase politike dhe qeverie që nuk është llogaridhënëse. Kjo mungesë llogaridhënieje dhe arrogance institucionale, thekson pedagogu, vjen për një arsye mjaft të thjeshtë – politikanët shqiptarë nuk kanë ardhur aty me vota të lira, prandaj ndihen të paprekshëm para qytetarëve dhe një rinie të lënë totalisht në harresë.


