PD letrë zyrtare Peleshit: Zbatoni vendimin e Kushtetueses për Komisionin Hetimor të zgjedhjeve të 11 majit

Politikë

-900-0-1790434639xselia-e-pd-804.jpg

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit këtë të shtunë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e një Komisioni Hetimor lidhur me përdorimin e burimeve shtetërore dhe krimin e organizuar në zgjedhjet e 11 majit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i është drejtuar me një letër zyrtare kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar nisjen e procedurave për zbatimin e vendimit nr. 62/2026 të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas PD-së, vendimi, i botuar në Fletoren Zyrtare nr. 157, më 22 korrik 2026, ka hyrë në fuqi po atë ditë. Grupi Parlamentar i PD-së argumenton se, në zbatim të nenit 87 të Rregullores së Kuvendit, çështja duhej të shqyrtohej brenda 30 ditëve nga Këshilli i Legjislacionit.

“Prej më shumë se dy muajsh, ju, në cilësinë e autoritetit përgjegjës për nisjen e procedurës parlamentare për zbatimin e këtij vendimi detyrues të Gjykatës Kushtetuese, jeni duke shkelur nenin 132 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në letrën e Grupit Parlamentar të PD-së.

Bardhi e akuzon kryetarin e Kuvendit për mosveprim dhe thotë se kjo situatë cenon, sipas opozitës, të drejtat e pakicës parlamentare dhe shtetin e së drejtës.

“Refuzimi apo vonesa në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është e papranueshme për opozitën”, thuhet më tej në letër.

Në përfundim, Grupi Parlamentar i PD-së kërkon marrjen e masave të menjëhershme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në shkresën e grupit parlamentar të PD nr. 3452 Prot., datë 27.07.2026.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion