“Nuk do të jem më!”- Letra e fundit e ish-kreut të Policisë italiane, Gianni De Gennaros, para vet*vrasjes

Bota

“Nuk do të jem më!”- Letra e fundit e ish-kreut të

“Pas pak minutash nuk do të jem më, ndaj kuptojeni mirë se një njeri i dënuar me vdekje nuk mund të gënjejë”, këto janë fjalët tronditëse që Gianni De Gennaro shkroi pak para se t’i jepte fund jetës.

Gazeta italiane “Corriere della Sera” ka publikuar ekskluzivisht letrën-testament të ish-kreut të Policisë italiane, të cilën ai ia kishte lënë një personi kompetent, me shpresën se do të kishte ndershmërinë për ta bërë publike.

Në mesazhin e vendosur në një zarf dhe të titulluar “Testamenti im moral”, De Gennaro mohon të ketë tradhtuar ndonjëherë betimin ndaj atdheut apo të ketë kërkuar favore dhe poste për interesat e tij personale.

“Ky është testamenti im moral. Nuk e kam tradhtuar kurrë betimin tim të besnikërisë ndaj Atdheut dhe nuk kam kërkuar kurrë asgjë për veten time. Pyetni Conten, Amaton, Enrico dhe Gianni Lettën. Edhe Prodin”, shkruan ai.

Një pjesë e rëndësishme e letrës i kushtohet një hard disku, përmbajtja e të cilit, sipas tij, është kërkuar nga shumë persona.

“Këtu ndodhet objekti i dëshirave, hard disku që të gjithë po kërkojnë. Ai nuk përmban mistere dhe as sekrete, por vetëm dokumente që dëshmojnë rreth 40 vite të një pjese të jetës sime, të mbushur me vuajtje dhe hidhërime. Shqyrtojeni me kujdes, por me qetësi dhe pa interpretime të panevojshme”, shkruan De Gennaro.

Ish-kreu i Policisë shpjegon se i kishte ruajtur dokumentet për të lënë pas dëshmi mbi karrierën e tij profesionale dhe për t’iu rikthyer kujtimeve në rast se drejtësia do të kishte nevojë për to. Ai mohon çdo përpjekje për të fshehur materiale, duke argumentuar se kishte dashur vetëm të shmangte marrjen e tyre nga persona që nuk i konsideronte të aftë për të vlerësuar përmbajtjen.

Në letër, De Gennaro mbron gjithashtu integritetin e tij profesional dhe thekson se i ka shërbyer gjithmonë shtetit me ndershmëri dhe besnikëri.

“Gjithmonë u jam bindur urdhrave që më janë dhënë dhe i kam përmbushur detyrat që më janë besuar, edhe kur kjo ka qenë kundër vullnetit tim. Ka shumë mundësi të kem bërë gabime, por gjithmonë dhe vetëm në përmbushje të detyrave të mia. Për gabimet e bëra mund të kërkoj vetëm falje, por nuk mund t’i fshij ato”, shkruan ai.

De Gennaro hedh poshtë edhe dyshimet se ka qenë i interesuar për poste dhe funksione të rëndësishme. Për këtë, ai përmend disa prej emërimeve të tij, duke iu referuar ish-kryeministrave dhe zyrtarëve të lartë që, sipas tij, mund të dëshmojnë se nuk i kishte kërkuar vetë këto pozicione.

Ai kujton se kishte bërë rezistencë për të marrë drejtimin e Finmeccanica-s, ndërsa përmend edhe përpjekjet për t’iu shmangur detyrës së presidentit të Banca Popolare di Bari, të cilën në fund e kishte pranuar pas një urdhri.

Në vijim, ish-kreu i Policisë rikthehet te largimi i tij nga detyra në vitin 2007, nga kryeministri i atëhershëm Romano Prodi. Sipas tij, lajmin e kishte marrë vesh përmes përgjigjes së Prodit gjatë një seance pyetjesh në Parlament, drejtpërdrejt në televizion.

Ai përmend edhe ish-ministrin e Brendshëm Giuliano Amato, duke thënë se mund të konfirmojë se nuk kishte kërkuar asnjë post tjetër, përveç mundësisë për të ushtruar funksionin e prefektit në cilindo qytet.

Në fund të letrës, De Gennaro shpreh shqetësimin për akuzat dhe pretendimet që, sipas tij, po e përfshijnë, duke shpresuar se e vërteta do të dalë në dritë.

“Shpresoj që, përballë ortekut të gënjeshtrave që po më përfshijnë tani, në fund të mbizotërojë e vërteta”, përfundon ai, duke firmosur: “Me besnikëri, Gianni De Gennaro”.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion