Pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, Gjykata Speciale përballet me kritika

Në Kosovë nxiti reagime një deklaratë e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, e cila tha se Gjykata Speciale është e “fokusuar në përmbushjen e mandatit për drejtësi të pavarur”, duke tërhequr vëmendjen se, sipas saj, që prej themelimit të saj, “kjo gjykatë ka qenë cak i informacionit të rremë për pavarësinë dhe funksionimin e institucionit”.
Debati rreth Gjykatës Speciale dhe reagimet e kundërreagimet rreth saj po vazhdojnë që kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet e ligjit për Dhomat e Specializuara, pas dënimit në shkallën e parë për krime lufte nga kjo gjykatë të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Trendafilova: Të fokusuar në garantimin e proceseve penale të pavarura
Ekaterina Trendafilova, kryetare e Gjykatës Speciale, në një videomesazh një ditë më parë tha se “Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor me mandat të përcaktuar në Shkëmbimin e Letrave, Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, dhe se gjykatësit i zbatojnë konventat ndërkombëtare të përmendura në Kushtetutën e Kosovës.
“Gjykata është e fokusuar në garantimin e proceseve penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase, e njëkohësisht në mbrojtjen e fuqishme të dëshmitarëve dhe viktimave. Në kundërshtim me informacionin e rremë në lidhje me Gjykatën, që shpërndahet vazhdimisht, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë për të akuzuarit, në pajtim me standardet e njohura ndërkombëtare”, tha Trendafilova.
Sipas saj, “gjyqtarët në këtë gjykatë janë nga shtete të Bashkimit Evropian dhe se ata detyrat i kryejnë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, në shërbim të drejtësisë dhe sundimit të ligjit”.
Ekaterina Trendafilova tha se “rishikimi i vendimeve gjyqësore bëhet përmes apelimeve”, duke shtuar se “askush nuk mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin”. “Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikim ose ndërhyrje politike”, tha Trendafilova.
Çitaku: Videoadresimi i Trendafilovës nuk i mbulon padrejtësitë e gjykatës
Deklaratat e kryetares së Gjykatës Speciale nxitën reagime nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo që inicioi në Kuvend ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, ligj ky që tashmë është miratuar.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se “videoadresimi i Trendafilovës nuk i mbulon padrejtësitë e gjykatës”.
“Nën drejtimin tuaj, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi. Një proces i padrejtë, mungesë transparence, llogaridhënie e pamjaftueshme dhe mangësi serioze në mbikëqyrje. Shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për barazinë e palëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e pavarur kërkojnë përgjigje konkrete”, tha Çitaku.
Duke iu drejtuar Trendafilovës, zonja Çitaku tha se “pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie. As titujt, as betimet dhe as videot nuk e zëvendësojnë profesionalizmin dhe drejtësinë që duhet të dëshmoni në vendimet tuaja”, shkroi Çitaku, duke shtuar se kryetarja e Gjykatës Speciale “ka edhe përgjegjësi personale për mungesë transparence”. Ajo ritheksoi se “Kosova nuk do të pranojë vendime kur bëhet krim kundër vetë drejtësisë”.
Ligji i ndryshuar dhe i miratuar në Kuvendin e Kosovës për Gjykatën Speciale ende nuk është dekretuar nga presidentja e Kosovës. Mirëpo, autoritetet kosovare tashmë kanë themeluar një grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e një strategjie shtetërore lidhur me procedurat në shkallën e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e ish-krerëve të UÇK-së. Grupi kryesohet nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca.
Ligji i ndryshuar nga Kuvendi i Kosovës për Gjykatën Speciale, që pritet të dekretohet nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, nuk e kufizon angazhimin e Gjykatës, por parasheh ngushtimin në disa fusha të mandatit të saj. /DW/


