Berisha i hap derën bashkëpunimit me Veliajn? Kreu i PD: Nëse ndihmon të largojmë të keqen e madhe, ta bëjë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lënë të hapur mundësinë e një bashkëpunimi me Erion Veliajn, vetëm në funksion sipas tij të largimit të së keqes më të madhe që ka vendi, Edi Ramës. Berisha tha se kushdo që të japë kontributin e tij në largimin e Ramës nga qeveria, është i mirëpritur, ndërsa shtoi se është i gatshëm që të bashkohet me të gjitha partitë në një front opozitar.
Qëndresa Shqiptare: Në vazhdën e kësaj përgjigje. Dje në Kukës thatë që armiku i armikut tim është aleati im. A hyn Erion Veliaj në këtë listë?
Sali Berisha: Në këtë listë hyjnë të gjithë ata, të cilët e konsiderojnë të keqen më të madhe për Shqipërinë, Edi Ramën. Erion Veliaj është një i burgosur hajdut aty ku është, dhe në arrestimin dhe krimet e tij, Partia Demokratike ka një kontribut të pamohueshëm.
Por, edhe njëherë e them, cilido që dëshiron të kontribuojë në largimin e të keqes më të madhe, nuk është bashkim programor ky, jo.
Winston Churchill fitoi luftën me fuqinë ushtarake më të madhe të kohës sepse thirri bashkimin. Dhe u bashkua, me kë u bashkua? Me Josif Stalinin, diktatorin më gjakatar të të gjitha kohërave. Pra, duhet t'i dallojmë gjërat. Shqiptarët, ky regjim po i dëbon nga trojet e tyre, prandaj duhet të ikë një minutë e më parë.
Po në qoftë se Veliaj jep kontribut, le të japë. Nuk ndaloj asnjërin.
A do mund të bashkoheshit me një forcë politike që ju kritikon personalisht, por ka të njëjtin qëllim politik?
Sali Berisha: Absolutisht që nesër. Edhe të vazhdojë të kritikojë, pa diskutim.
I dashur mik, më fal edhe një moment. Shqiptarët nuk e kanë kuptuar se kjo është diktatura më e keqe që mund të ekzistojë.
I ftoj ata të lexojnë Huntington-in se çfarë thotë për diktaturën e bandave. Është më e keqe se diktatura komuniste, më e keqe se diktatura naziste, më e keqe se diktaturat teokratike. Sepse kjo nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull.
Nuk kanë faj, se janë studiot, janë mediat e kontrolluara nga qeveria që përdorin gjuhën.
Një ditë, këta çirakë dalin në media thonë 'nuk bën zgjedhje ai', ‘Rama i vjedh zgjedhjet’.
Ditën tjetër, pasi i heqin veshin, ‘jo’, thonë ‘Berisha nuk i fiton zgjedhjet, Berisha ka humbur dy zgjedhje, se Berisha s'ka alternativë'.
Mashtrues ordinerë. Ne kemi alternativën më të shkëlqyer, alternativë të certifikuar nga dy fondacionet më kryesore në botë, Adenauer dhe Heritage.

