Alarm për zjarr: Jeep tërheq mbi 1 milion makina në mbarë botën

Prodhuesi amerikan i automjeteve Jeep ka njoftuar tërheqjen nga tregu të mbi 1 milion automjeteve për shkak të një defekti që mund të rrisë rrezikun e zjarrit.
Sipas njoftimit zyrtar, problemi lidhet me një lidhje elektrike në sistemin e pompës së drejtimit elektrik-hidraulik (EHPSPS), e cila mund të krijojë rezistencë të lartë dhe të çojë në mbinxehje të komponentëve.
Ky defekt, në raste të caktuara, mund të shkaktojë edhe humbje të asistencës së drejtimit, si dhe shfaqjen e paralajmërimit “Service Power Steering” në panelin e makinës.
Tërheqja vullnetare përfshin modelet Wrangler dhe Gladiator, të prodhuara në periudhën 2021–2025. Autoriteti i kompanisë u ka bërë thirrje pronarëve që, deri në riparimin e plotë të defektit, t’i parkojnë automjetet jashtë ambienteve të mbyllura, për shkak të rrezikut të mundshëm të flakëve.
Sipas raportimeve teknike, problemi vjen nga një lidhje e ndjeshme në komponentët elektrikë, e cila mund të përkeqësohet me kalimin e kohës dhe të rrisë temperaturën në sistem.
Kompania ka theksuar se po punon për zgjidhjen e shpejtë të problemit dhe do të njoftojë pronarët për procedurat e riparimit në servis.