Nga “të dua” tek “do të ndryshoj”, njihuni me 9 gënjeshtrat që narcistët përdorin për t’ju manipuluar

Narcistët mund të përdorin gënjeshtra dhe manipulime për të krijuar besim, për të shmangur përgjegjësinë dhe për të mbajtur kontrollin në marrëdhënie. Njohja e këtyre modeleve mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë dinamikat e një marrëdhënieje të tillë dhe të shihni më qartë se kush keni përballë.
1. “Me mua je i/e sigurt, mund të më tregosh dobësitë e tua”
Kjo gënjeshtër është një nga bazat e strategjisë së njohur si love bombing, kur dikush ju mbulon me vëmendje dhe afeksion për të krijuar një lidhje të fortë emocionale brenda një kohe të shkurtër. Narcisti përpiqet t’ju bëjë të ndiheni sikur keni gjetur njeriun më të besueshëm në botë. Por dobësitë dhe pasiguritë që i ndani me të mund të përdoren më vonë kundër jush. Kjo është një mënyrë manipulimi që synon t’ju bëjë të ulni vigjilencën dhe të hapeni emocionalisht më shumë seç duhet.
2. “Ish-partnerja ime ishte e çmendur”
Kur flasin për ish-partnerët, disa njerëz mund të pretendojnë se ish-i i tyre ishte i paqëndrueshëm ose, në anën tjetër, se është ende një nga miqtë e tyre më të mirë. Të dyja situatat mund të fshehin diçka. Në rastin e dytë, për shembull, mund të ketë ende një marrëdhënie romantike ose tradhti. Prandaj, kushtojini vëmendje mënyrës se si partneri juaj flet për marrëdhëniet e kaluara, pasi kjo mund t’ju japë të dhëna për karakterin dhe sjelljen e tij.3. “Mund të mbështetesh tek unë”
Narcistët shpesh përpiqen të paraqiten si njerëz të besueshëm, veçanërisht ata që shfaqin tipare më të fshehta të narcismit. Mund t’ju ndihmojnë kur kjo u leverdis ose kur duan të ruajnë imazhin e një personi të mirë, por kjo nuk do të thotë se do të jenë pranë jush kur të keni vërtet nevojë. Bëni kujdes nga njerëzit që përpiqen t’ju bindin vazhdimisht me fjalë se mund të mbështeteni tek ata, ndërkohë që veprimet e tyre tregojnë të kundërtën.
4. “Gjithçka është faji yt”
Zhvendosja e fajit tek tjetri është një mënyrë e zakonshme që narcistët përdorin për t’iu shmangur përgjegjësisë. Nëse vini re se asgjë, absolutisht asgjë, nuk është kurrë faji i tyre, mund të jeni përballë një modeli manipulues. Duke ju bërë përgjegjës për çdo problem, ata përpiqen të kontrollojnë mënyrën se si e shihni situatën dhe të ndikojnë në perceptimin tuaj të realitetit.
5. “Unë dua të njëjtat gjëra si ti”
Kjo sjellje njihet si krijimi i premtimeve për një të ardhme të përbashkët që nuk realizohet kurrë. Narcisti mund t’ju premtojë një të ardhme të përsosur, me synimin që ju të lidheni edhe më fort emocionalisht me të. Por, sa herë që afrohet momenti për t’i bërë realitet premtimet, ai ndryshon kushtet ose e shtyn gjithçka për më vonë. Kështu, ju mbeteni të lidhur pas një të ardhmeje që ekziston vetëm në fjalët e tij. Bëni kujdes nga premtimet e tepruara dhe angazhimet që nuk shndërrohen kurrë në veprime konkrete.
6. “Do të ndryshoj”
Premtimi për të ndryshuar shpesh shfaqet kur narcisti ndien se mund të humbasë diçka me vlerë. Ai mund të kërkojë falje, të premtojë se do të sillet ndryshe dhe t’ju bindë se këtë herë gjithçka do të jetë ndryshe. Por, këto premtime mund të jenë thjesht një mënyrë për të rifituar kontrollin mbi marrëdhënien. Në vend që sjellja të ndryshojë në mënyrë të qëndrueshme, shpesh përsëriten të njëjtat modele që e kanë dëmtuar marrëdhënien.
7. “Të dua”
Edhe dy fjalët “të dua” mund të përdoren si mjet manipulimi. Narcisti mund t’ju japë shenja afërsie dhe dashurie, pastaj t’i tërheqë ato në momentin që i leverdis, duke krijuar pasiguri dhe duke ju mbajtur emocionalisht të lidhur pas tij. Kjo lloj afërsie e paqëndrueshme mund ta bëjë më të vështirë shkëputjen nga një lidhje e dëmshme, veçanërisht kur mes partnerëve krijohet një lidhje traumatike, ku dhimbja dhe momentet e rralla të dashurisë ndërthuren dhe e bëjnë largimin më të vështirë.
8. “Nuk mund t’i besosh vetes”
Përmes manipulimit psikologjik, të njohur si gaslighting, narcisisti mund t’ju bëjë të dyshoni te kujtesa, perceptimi dhe gjykimi juaj. Ai mund të mohojë se ju ka lënduar, edhe kur ia keni thënë qartë se sjellja e tij ju ka shkaktuar dhimbje. Me kalimin e kohës, mund të filloni të pyesni veten nëse po e ekzagjeroni situatën, nëse po i kuptoni gabim gjërat apo nëse problemi qëndron te ju. Të dalloni këtë model është e rëndësishme për të ruajtur besimin te vetja dhe për të mos lejuar që dikush tjetër të përcaktojë se çfarë është e vërtetë për ju.
9. “Nuk është faji im”
Shmangia e përgjegjësisë është një nga tiparet që lidhet me sjelljen narcisiste. Ideja se “nuk është faji im” mund të jetë aq e rrënjosur, sa personi refuzon të pranojë përgjegjësinë edhe kur faktet janë të qarta. Edhe kur duket sikur po e pranon gabimin, mund të përpiqet ta zhvendosë fajin te dikush tjetër ose të japë shpjegime që duken logjike, por që në thelb e shmangin përgjegjësinë. Në këtë mënyrë, ai krijon përshtypjen se po e pranon situatën, pa pranuar realisht rolin e vet në të.
10. “Gjërat do të bëhen më mirë”
Edhe ky premtim mund të jetë një mënyrë për ta mbajtur tjetrin të lidhur emocionalisht me një të ardhme më të mirë. Narcisti mund t’ju sigurojë se marrëdhënia do të përmirësohet, se problemet do të zgjidhen dhe se së shpejti gjithçka do të jetë ndryshe. Por, këto premtime shpesh nuk përmbushen dhe situata mund të përkeqësohet me kalimin e kohës. Në vend që të shihni ndryshime konkrete, mund të përfundoni duke pritur vazhdimisht që gjërat të bëhen më mirë.
11. “Nuk do të takosh kurrë dikë më të ndershëm se unë”
Narcistët mund të këmbëngulin se janë njerëzit më të ndershëm që mund të njihni, me qëllim që të fitojnë besimin tuaj. Megjithatë, pas këtij imazhi mund të fshihen sjellje manipuluese, sekrete dhe gënjeshtra të ndërlikuara, edhe kur personi shmang gënjeshtrat e drejtpërdrejta. Kur dikush e thekson vazhdimisht se sa i ndershëm është, kjo mund të jetë një arsye për të vëzhguar më me kujdes nëse veprimet e tij përputhen me fjalët. Ndershmëria e vërtetë nuk ka nevojë të shpallet vazhdimisht; ajo dëshmohet përmes sjelljes.


