Nga 21 Janari te dhuna në protestat e sotme/ Studenti pyet Ramën për përgjegjësinë, Kryeministri: Eja në dialog

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po udhëton drejt Budvës, në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, që zhvillohet më 21–22 tetor 2026.
Rama ndau një “intervistë virtuale” me një nga protestuesit, i cili ka postuar në rrjetet sociale disa pyetje për Kryeministrin.
Ky i fundit i është përgjigjur të gjitha pyetjeve, teksa në fund e fton sërish për dialog.
Zoti Kryeministër, me kë doni të dialogoni?
Me këdo që beson se unë jam i keq, por ama dhuna është një armik i të gjithëve.
Me të rinjtë që policia i qëlloi me plumba go,a dhe i mbyti me gaz lotsjellës? Apo me studentët që i mbani me premtime që nga 2018-a?
Policia u qëllua me gurë dhe me zjarr, e me lloj-lloj saçmesh e vidash, me llastiqe nga ato primitive dhe reagoi me gaz lotsjellës dhe me ujë, e në ndonjë rast, edhe me shkop dhe me plumb gome, mjete të çdo policie në çdo vend demokratik. Dhe kur policët e plagosur janë më shumë se dyfishi i protestuesve të plagosur, ndryshe nga të gjitha vendet ku ka ndodhur dhe ndodh këto ditë diçka e ngjashme, çdo pretendim për dhunë nga policia mbi studentët është djallëzor. Jam gati ta bëjmë bilancin e zotimit të 2018-ës, ama ballë pëer ballë e me fakte, jo me retorikë.
Mos ndoshta tani u kujtuat që të flisnit me Flamingot?
Unë u kujtova tani të flas për Flamingot? Jo. Kam bërë dhe kam publikuar një reflektim të tërë pasi i kam ndjekur, analizuar dhe flas për ata të qershorit, se ata ishin për mua flamengot. Madje, sot, ndër të tjera rezultate të atij reflektimi, ka dhe një dritare që lindi si pjesë e tij. ‘Flamingomirror.al’, ‘Pasqyra e Flamingos’.
Tani u kujtuat për dialog?
Lexoje pak datën e këtij inserti të shkurtër (ndan videon e postuar më 12 qershor 2026). Ka disa të tilla. Ndërkohbë që për katër muaj i kam dëgjuar më shumë se kushdo. Unë atje lart në zyrë, ata poshtë dritares. “O në burg, o në litar” fillonte puna ime në mëngjes me disa që rrinin atje te cepi i bulevardit dhe ulërinin, e mbyllej në mbrëmje me ‘burg’ e me ‘poshtë komunizmi’ e me plotë bejte, përbetime e kërcënime.
E përsëri ju nuk e lini arrogancën mënjanë. Prapë përpiqeni të na fyeni inteligjencën, sikur ne nuk dimë të argumentojmë.
Eh, arrogancë është të thuash që populli nuk është ai që të votoi ty, por jemi ne poshtë dritares tënde dhe do marrim peng Tiranën po nuk e braktise detyrën, pavarësisht se ke kontratë me shumicën e popullit shqiptar. Aq më tepër që unë nuk kam dëgjuar argumente, por kam dëgjuar sharje, kam dëgjuar ulërima, kërcënime për këdo që nuk mendon si ju. Cilët do qofshin, online apo offline. Dhe manipulime të pafundme, me ndihmën e duarve të atyre që nuk e duan Shqipërinë të ngjitet më lartë.
Po ju a jap unë tre argumente. Belinda Balluku, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj.
Më fal, ju jeni prokuror, gjykatës apo studentë? Nëse jeni studentë, duhet të bëni kujdes nga ai profesori që ju ka mësuar të ngrini akuza kolektive duke rreshtuar emra, sepse ky vend ka vuajtur shumë nga idhujt vrastar të atij profesori që ju mëson së mbrapshti.
A doni t’ju jap edhe 420 mijë argumente të tjerë, aq sa shqiptarë janë larguar që nga viti 2011?
Me kënaqësi, po. Dua të mi japësh. 420 mijë argumente, por sy më sy ama dhe me durimin për të dëgjuar dhe jo vetëm me nxitimin për të folur e për të propaganduar.
A doni të dini pse ne nuk kemi besim te dialogu juaj? Sepse na e treguat besën në 2018-ën, kur ju premtuat studentëve 5% që edhe sot e keni pa paguar faturën.
Kështu thoni ju, por lexoni pak për universitetin që ishte dokumenti që e kurorëzoi atë protestë studentore dhe mos ngatërroni kërkesat e shumta që u hodhën lart e poshtë asokohe me zotimet e qarta dhe të shkruara që mori qeveria.
Sepse, kur SPAK-u kërkoi arrestimin e Belinda Ballukut, ju e mbrojtët atë.
Jo, ndryshe nga çfarë thonë ata që nuk e dinë çfarë thonë, unë nuk mbroj askënd nga drejtësia. Përkundrazi, por në atë rast ne mbrojtëm drejtësinë nga njëanshmëria. Dhe koha na dha të drejtë, sepse refuzimi ynë për të pranuar, duke ngritur kartonët e parlamentit, një tjetër arrest pa gjyq, në një vend që është bërë turp i Europës, me 63% të paraburgosur në totalin e të burgosurve. Nuk e pengoi aspak SPAK-unqë t’i thellonte hetimet dhe t’i shteronte duke zgjeruar akuzat.
Prandaj nuk kemi besim tek ju.
Prandaj në fakt ju duhet të keni besim te unë.
Ne nuk i urrejmë policët.
E besoj që ju nuk i urreni policët, sepse ju i hidhni gurët dhe molotovët në emër të një urrejtje më të lartë, parimore, gati-gati idealiste sipas jush, urrejtja e Antifas, urrejtja e black blogeve, urrejtja e të gjithë atyre që janë lëshuar në Europë si një lukuni që nuk di fare se ku do të dalë, por di ama që duhet të shkatërrojë. Dhe në fakt dhuna më e egër dhe pasojat më çnjerëzore në kurrizin e popujve në historinë e vendeve kanë ardhur nga ajo lloj urrejtje.
Por si ti besojmë kur ish-ministri i Brendshëm i juaj, Saimir Tahiri u dënua dhe gjykata shkroi se ai ndihmoi një bandë të futej brenda në polici?
Sa keq më vjen! Si mundet një njeri të zvarrisë nëpër gojë një njeri të dënuar shumë vite më parë, që sot është në jetën e vetë, pasi e ka kryer dënimin. Nuk e di. Të thashë, kujdes nga ai profesor që ia u mëson gjërat për së prapthi.
Si t’ju besojmë ju, kur këmbëza shtypet aq lehtë kundrejt protestuesve, të rinjve, të miturve.
Eh mor mik, kur tërhiqej këmbëza që ti e imiton pa t’u trembur syri, madje mu aty ku je ulur ti, nga ku protestuesit mbeteshin të vdekur dhe tërhiqeshin të plagosur nga bulevardi… Megjithatë, nuk shkulej asnjë gur nga trotuari dhe nuk i gjuhej me molotovë policisë e nuk shkatërroheshin bizneset e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Ndërsa të miturit as nuk afroheshin dot në ato protesta, se[pse kush protestonte nuk përdorte të mitur dhe nuk paguante kapuçonjë të zinj për të sakatuar dhe për të djegur policët e për të marrë peng një popull të tërë, duke i risjellë fantazmën e një të kaluare që nuk vjen më.
Ja pra, kjo është përvoja jonë.
Kjo në fakt është përvoja e Instagram-eve edhe e TikTok-eve tuaja, e amplifikuar nga ekranet e korruptuara të pronarëve të mediave, ku policia është dhunuesja dhe studentët të dhunuarit. Ndërkohë që përvoja e mjekëve dhe infermierëve të spitaleve të Tiranës është se policët e lënduar janë dy herë e gjysmë më shumë sesa protestuesit e kalimtarët e marrë së bashku. Ndërsa studentët e vërtetë mes të lënduarve janë ku e ku më pak akoma.
Ky është mosbesimi që ju keni kultivuar, duke zgjedhur njerëzit e gabuar për postet që emëruat ju. Ju, Kryeministër.
Ju jeni absolutisht në të drejtën tuaj të jeni mosbesues, ndërkohë që zgjedhjet e mia janë e drejta ime dhe ndër dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra, nuk e di sa janë bërë 60 a më shumë ministra në 13 vjet, me siguri ka dhe zgjedhje të gabuara dhe nuk kam kurrsesi si ta mohoj këtë.
Ju mbani përgjegjësi kushtetuese për ministrat që zgjidhni.
Edhe?
Përgjegjësia penale është personale, po. Dakord. Po përgjegjësia politike nuk fshihet pas kësaj.
Absolutisht jo. Përgjegjësia ime politike është të garantoj që as unë dhe as shumica qeverisëse nuk bën avokatin e askujt nga radhët tona që vendoset nën akuzë nga drejtësia. Dhe kur të më tregosh një kryeministër ose një president në një vend demokratik që mban ndonjë lloj tjetër përgjegjësie personale sesa kjo që po të them, atëherë i kthehemi sërish këtij argumenti me kënaqësi.
Po ju… kur do mbani përgjegjësi?
Këtë do ta them kur të vish në dialog. Mos ki frikë nga dialogu. Distancohu nga gurët dhe nga zjarri. Ik nga rruga e dhunës miku im.


