Nesër protestë kombëtare/ Studentët e rretheve pritet të “zbarkojnë” në Tiranë, pedagogë dhe mjekë krah të rinjve

Është shtuar numri i qytetarëve të mbledhur përballë Kryeministrisë, ndërsa situata paraqitet e qetë, pa incidente apo përplasje me policinë. Gazetari Renaldo Salanji raporton se përpara godinës është vendosur një kordon me efektivë policie.
Ndërkohë, studentët po vijojnë organizimin për protestën kombëtare të paralajmëruar për nesër në kryeqytet. Sipas raportimit, me protestën janë solidarizuar pedagogë, mjekë dhe biznesi i vogël.
Pedagogët pritet të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik. Në orën 12:00, Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj të mbështesin protestën e studentëve, ndërsa në orën 14:00 është njoftuar bashkimi i grupeve të studentëve në protestën përpara Kryeministrisë.
Pjesëmarrje pritet të ketë edhe nga studentët e rretheve, të cilët janë solidarizuar me protestën në Tiranë. Gjatë javës, protesta janë zhvilluar edhe në qytetet ku ka universitete, ndërsa nesër studentët pritet të udhëtojnë drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit.


