Myrto Uzuni, i pari futbollisti i nga Kombëtarja që reagon për protestën (FOTO)

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, ka reaguar për protestën e studentëve në Tiranë, duke shprehur mbështetjen e tij për të rinjtë dhe duke dënuar dhunën ndaj qytetarëve që protestojnë.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, sulmuesi shqiptar thekson se pas çdo studenti qëndrojnë ëndrrat, përpjekjet dhe sakrificat e një familjeje, ndaj ata meritojnë mbështetje dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
Uzuni, duke u nisur edhe nga përvoja e tij si sportist që përfaqëson Shqipërinë, bëri një paralelizëm mes krenarisë së përfaqësimit të vendit dhe përgjegjësisë që mbart uniforma e Policisë së Shtetit.
Sipas futbollistit, çdo person që mban një uniformë që përfaqëson Shqipërinë duhet të kujtojë besimin e qytetarëve dhe detyrimin për ta nderuar atë përmes sjelljes dhe veprimeve të tij.
“Respekt për çdo polic që shërben me ndershmëri dhe vetëpërmbajtje. Dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë është e papranueshme. Qytetarët meritojnë të dëgjohen dhe të ndihen të mbrojtur nga ata që kanë detyrën të kujdesen për sigurinë e tyre”, shprehet Uzuni në reagimin e tij.
Në të njëjtën kohë, sulmuesi kuqezi thekson se ka respekt për Policinë e Shtetit dhe punonjësit që kryejnë detyrën me ndershmëri e përkushtim, duke nënvizuar se veprimet e disa individëve nuk duhet të përgjithësohen për të gjithë trupën policore.
Në fund të mesazhit të tij, Myrto Uzuni shpreh hapur solidaritetin me studentët, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Me studentët!”
Reagimi i futbollistit i shtohet mesazheve të figurave publike që kanë shprehur qëndrimin e tyre për protestën dhe mënyrën se si duhet të trajtohen qytetarët që dalin për të shprehur kërkesat e tyre.



