Familja e Erjon Vishkullit përgënjeshtron Ramën: Mashtrim dhe propagandë! Në Itali e kanë çuar familja dhe jo shteti

Aktualitet

Familja e Erjon Vishkullit përgënjeshtron Ramën: Mashtrim dhe

Motra e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës studentore në Tiranë, ka reaguar publikisht duke përgënjeshtruar pretendimet se shteti shqiptar ka mundësuar dërgimin e tij në Itali për trajtim të specializuar.

Përmes një postimi në Instagram, ajo ka sqaruar se transferimi i të riut drejt Italisë është bërë falë përpjekjeve dhe mbështetjes financiare të familjarëve, miqve dhe personave që u kanë ardhur në ndihmë.

Reagimi vjen pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se kishte dhënë udhëzime për mbulimin e shpenzimeve të ndërhyrjeve mjekësore të 28-vjeçarit.

Motra e Vishkullit i ka bërë thirrje mediave të mos publikojnë informacione të pavërteta dhe të mos e përdorin rastin e vëllait të saj për propagandë politike.

“Ju falënderojmë të gjithëve që jeni interesuar dhe shqetësuar për shëndetin e vëllait tonë, por duam që në këto momente të qëndrojmë larg pjesës politike”, shkruan ajo.

Duke falënderuar personat që ndihmuan për sigurimin e trajtimit në Itali, ajo akuzon kryeministrin se po përpiqet të dalë protagonist i ngjarjes.

“Falënderojmë personat që morën iniciativën për një ndërhyrje më të specializuar në Itali. Dhe u bëj thirrje portaleve: Mos ndani lajme pa bazë për shikime apo mashtrime e propaganda të Ramës, për të dalë protagonist i ngjarjes vetë dhe për ta kthyer çështjen në politike, duke deklaruar që ka dhënë urdhër për të mbuluar shpenzimet e operacioneve”, shkruan motra e të riut.

Ajo thekson se shteti nuk ka qenë ai që ka organizuar dhe financuar dërgimin e Erjonit jashtë vendit.

“STOP FAKE NEWS! E kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes tonë dhe JO SHTETI. Shpërndani lajme të sakta”, shprehet ajo.

Në fund të mesazhit, motra e 28-vjeçarit ka ndarë edhe disa fjalë prekëse për vëllain e saj, i cili po përballet me pasojat e plagosjes së rëndë.

“Të duam pa fund, ERJON! Kthehu në shtëpi shëndoshë e mirë, duke buzëqeshur, t’ia gëzojmë zemrën mamit dhe babit”, përfundon reagimi.

Erjon Vishkulli u plagos në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ndërsa familjarët shpresojnë që trajtimi i specializuar në Itali t’i shpëtojë shikimin.

6ade19785bf58.jpg

Reagimi i motrës së tij hedh poshtë pretendimin se transferimi drejt Italisë është mundësuar nga shteti, ndërsa familja kërkon që vëmendja të përqendrohet te shëndeti dhe rikuperimi i të riut, jo te përplasjet politike.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion