“Mor faqezi!”, Berisha-Ramës: I ke quajtur shqiptarët kokëboshë, zdromsa…

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas fjalimit të gjatë të kryeministrit Edi Rama për protestat, duke kërkuar sërish dorëheqjen e tij.
Berisha akuzoi kundërshtarin e tij politik për përshkallëzimin e situatës dhe kritikoi gjuhën e përdorur ndaj studentëve dhe të rinjve që protestojnë.
“Edi Rama jep dorëheqjen, çdo cak është kaluar, çdo vijë e kuqe është shkelur”, deklaroi ai, duke theksuar se dorëheqja e kryeministrit është e vetmja zgjidhje për rikthimin e normalitetit.
“Mor faqezi!”, ishte një nga fjalët e rënda për shefin e qeverisë, ndërsa rikujtojmë se ky i fundit e ka cilësuar Berishën “matuf që flet tërë kohën për dhunë“.
Ndërkohë, kryedemokrati theksoi se protestat kanë mbështetjen e qytetarëve dhe paralajmëroi se, nëse situata vazhdon të përshkallëzohet, edhe qytetarë të tjerë mund t’u bashkohen protestuesve në shesh.
“Dhuna, është gjuha jote e urrejtjes që prej 13 vitesh ti dhe organizata jote kriminale keni hedhur vrer mbi shqiptarët dhe të rinjtë. I keni quajtur shqiptarët sorra, çyrykë, zdromsa, korba, të tredhur dhe së fundmi kokëboshë dhe të tjera që nuk më lejon etika t’i shqiptoj. Ndaj dhe ajo që po ndodh me studentët nuk është dhunë, është pasojë e dhunës 13-vjeçare të Edi Ramës.
Dhunë, është vjedhja e kafshatës së gojës të qytetarëve shqiptarë. Dhunë është vjedhja e ilaçeve të të sëmurëve në spitalet tona. Dhunë është vjedhja e ilaçeve të pensionistëve. Dhunë është të lësh pensionistët me pensionet më të ulëta në rajon dhe çmimet ndër më të lartat në Evropë. Dhunë çnjerëzore është kur ato para të vjedhura kthehen në saraje të tuat të krimit me 9 mijë metër katror park, kthehen në 300 apartamente për Lubinë tënde”, përfundoi kreu i PD-së.


