Makinat e braktisura nëpër lagje do të hiqen dhe shkatërrohen, gati ligji i ri

Aktualitet

Makinat e braktisura nëpër lagje do të hiqen dhe
Automjetet e braktisura në lagje dhe në hapësirat publike parashikohet të identifikohen dhe të hiqen nga bashkitë, në bashkëpunim me policinë rrugore. Një projektvendim për menaxhimin e automjeteve në fund të jetës përcakton procedurën që duhet ndjekur për këto mjete, nga verifikimi i pronarit deri te dorëzimi për trajtim dhe çregjistrimi i përhershëm.

Sipas dokumentit të konsultuar nga skyweb.al, përgjegjësinë për identifikimin dhe heqjen e automjeteve të braktisura e ka bashkia në territorin e saj. Por largimi i makinës nuk nënkupton që ajo mund të dërgohet menjëherë për çmontim apo shkatërrim.

 
Përpara këtij hapi, struktura që ka kryer heqjen duhet të verifikojë numrin e shasisë, targën, pronësinë dhe të dhënat e regjistrimit. Kontrollet kryhen në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse për shërbimet e transportit rrugor dhe Policinë e Shtetit.

Verifikimi përfshin edhe gjendjen juridike të automjetit: nëse është i vjedhur, në kërkim, i sekuestruar, i konfiskuar apo i ngarkuar me barrë. Këto kontrolle shërbejnë për të përcaktuar nëse mjeti mund të dorëzohet për trajtim dhe cili autoritet duhet të vendosë për të.

Projektvendimi kërkon që pronari ose zotëruesi të njoftohet dhe automjeti të ruhet sipas procedurave dhe afateve të legjislacionit për qarkullimin rrugor. Vetëm pasi të përfundojnë këto procedura, makina mund t’i dorëzohet një operatori të autorizuar për trajtim.

Për automjetet e sekuestruara, të konfiskuara, në kërkim apo të ngarkuara me barrë, dorëzimi për trajtim kërkon vendimin e organit kompetent. I njëjti kusht zbatohet edhe kur pronari ose zotëruesi i fundit nuk identifikohet.

 
Në këto raste, certifikata e shkatërrimit lëshohet në emër të strukturës që dorëzon automjetin. Dokumenti shërben më pas për procedurën e çregjistrimit të përhershëm të mjetit.

Megjithatë, neni 9 nuk përcakton një numër ditësh parkimi pas të cilit makina konsiderohet automatikisht e braktisur. Ai as nuk vendos një afat të posaçëm për reagimin e pronarit, por u referohet procedurave të legjislacionit rrugor. Kjo do të thotë se qëndrimi për një kohë të gjatë në të njëjtin vend nuk mjafton, sipas këtij teksti, për ta dërguar menjëherë një automjet për shkatërrim. /skyweb.al 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion