Lëvizte me makinë luksoze të blinduar, theu "arrestin në shtëpi", arrestohet 35-vjeçari, në pranga edhe pasagjeri

Një operacion i Policisë në Kurbin ka çuar në pranga dy persona, 35 dhe 31 vjeç, të dy banues në Laç. Ata u kapën duke lëvizur me një automjet luksoz të blinduar tip “BMW”, ndërsa nga kontrollet u sekuestruan lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një jelek antiplumb, një shpatë dhe tre celularë.
Sipas Policisë, 35-vjeçari kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa pasagjeri u kap me lëndë të dyshuar narkotike. Operacioni u kodua “Blindi”, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar veprimtarinë e dy të arrestuarve.
NJOFTIMI I POLICISË
Arrestohet 35-vjeçari që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe qarkullonte me automjet të blinduar.
Në pranga edhe pasagjeri, pasi posedonte lëndë të dyshuar narkotike.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, një jelek antiplumb, një armë e ftohtë (shpatë), automjeti i blinduar dhe 3 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Mbështetjes Operacionale për Hetimin, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe të Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Blindi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 35 vjeç, dhe Z. K., 31 vjeç, të dy banues në Laç.
Këta shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë në qytetin e Laçit, duke lëvizur me një automjet luksoz të blinduar, tip “BMW”, që drejtohej nga shtetasi E. P.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi E. P. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Apelit Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shtetasit Z. K., pasagjer në automjet, gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, ndërsa gjatë kontrollit në banesë iu gjetën një jelek antiplumb dhe një armë e ftohtë (shpatë).


