Tritol vilës së biznesmenit në Lefkada/ Greku dhe shqiptari dhanë urdhrin , zbulohet e kaluara e tyre kriminale

Kosovë&Rajon

Tritol vilës së biznesmenit në Lefkada/ Greku dhe shqiptari

Të kaluar të errët kriminale kanë dy të burgosurit e burgut të Malandrinos, të cilët dyshohet se dhanë nga qelitë e tyre urdhrin për sulmin me bombë ndaj vilës së një biznesmeni greko-amerikan në Lefkada. Për këtë çështje, Drejtoria për Luftën ndaj Krimit të Organizuar ka kryer gjashtë arrestime.

Sipas të dhënave të autoriteteve greke, njëri prej dy të dyshuarve si porositës është grek dhe është në radarët e autoriteteve që prej vitit 2015. Vetëm gjatë vitit 2023, ndaj tij janë hartuar pesë dosje të ndryshme penale për vjedhje, drogë dhe grabitje.

Sipas Policisë greke, në janar të vitit 2026 ai ishte përfshirë edhe në një tentativë vrasjeje ndaj një të dënuari shqiptar me precedent të rëndë kriminal, brenda burgut të Malandrinos.

I dyshuari tjetër si porositës është me origjinë shqiptare dhe është akuzuar gjithashtu për vjedhje dhe grabitje. E kaluara e tij kriminale përfshin edhe një akuzë për vrasje në Athinë, në vitin 2025.

Sipas dosjes së hartuar nga Departamenti për Luftën kundër Shantazheve, në kuadër të Drejtorisë për Luftën ndaj Krimit të Organizuar, dy të burgosurit dyshohet se u kanë dhënë urdhër gjashtë personave grekë që ndodheshin jashtë burgut, mes tyre edhe një gruaje, për të organizuar dhe kryer sulmin ndaj biznesmenit greko-amerikan.

Bomba me 10 kilogramë xhelatinë-dinamit

Sulmi ndodhi në janar të vitit 2026. Sipas dosjes së hetimit, autorët vendosën një sasi të konsiderueshme lënde shpërthyese në vilën e biznesmenit, në një zonë pranë Agiofyllit, në Lefkadë.

Mekanizmi shpërthyes u zbulua nga kujdestari i banesës, i cili e gjeti atë në ballkonin e pasmë të vilës.

Autorët kishin përdorur 10 kilogramë xhelatinë-dinamit, të pajisur me fitil me djegie të ngadaltë, por fatmirësisht lënda shpërthyese nuk shpërtheu.

Hetimet e Policisë greke çuan përfundimisht në arrestimin e gjashtë personave, ndërsa dy të burgosurit në Malandrino përfshihen në të njëjtën dosje si të dyshuarit për dhënien e urdhrit për sulmin.

Gjashtë të arrestuarit akuzohen për krijimin e një grupi kriminal, si dhe për shkelje të legjislacionit për armët dhe lëndët shpërthyese.

Çështja bëhet edhe më interesante pasi, sipas informacioneve të publikuara në mediat greke, i njëjti biznesmen greko-amerikan ishte bërë viktimë e një tjetër sulmi disa muaj më vonë. Në maj, ai u sulmua me armë në Voula, ndërsa autorët e këtij incidenti vijojnë të mbeten të paidentifikuar.

Deri më tani, nuk është sqaruar nëse ekziston ndonjë lidhje mes dy ngjarjeve. Gjithashtu mbetet i paqartë motivi i sulmit të dështuar me bombë në Lefkadë.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur se çfarë fshihej pas urdhrit që, sipas dosjes së hetimit, ishte dhënë nga brenda qelive të burgut.

ME TE LEXUARAT