Sulm kibernetik në tre aeroporte angleze, vidhen të dhënat personale të 8.7 milionë pasagjerëve

Bota

Sulm kibernetik në tre aeroporte angleze, vidhen të dhënat

Të dhënat personale të miliona klientëve u vodhën në një sulm kibernetik që synonte tre aeroporte britanike, tha të martën Grupi i Aeroporteve të Mançesterit (MAG), duke sqaruar se sulmi nuk ndikoi në fluturime ose operacione të aeroportit.

Sipas MAG, e cila menaxhon aeroportet e Mançesterit, Londrës Stansted dhe East Midlands (Anglia qendrore), ky sulm ka të bëjë me të dhënat e 8.7 milion klientëve.

Të dhënat e vjedhura përfshijnë adresa email-i, numra telefoni, numra regjistrimi të automjeteve dhe kode postare.

“Incidenti nuk shkaktoi asnjë ndërprerje operacionale dhe operacionet e aeroportit vijuan normalisht”, tha Grupi MAG në një njoftim për shtyp.

Sulmi kibernetik ndodhi gjatë fundjavës, por grupi nuk u njoftua deri të martën.

“Në asnjë moment nuk u kompromentua siguria e pasagjerëve ose siguria e linjës ajrore”, vazhdoi MAG, duke shtuar se detajet e pagesave bankare nuk u prekën.

Ai ia atribuoi sulmin kibernetik një “pale të tretë të paautorizuar”, pa dhënë më shumë detaje.

Hakerët fituan akses në “të dhënat e klientëve, të cilat përfshijnë rezervimet e parkimit, sallonet dhe shërbimet Fast Track, si dhe regjistrimet Wi-Fi në terminalet e aeroportit”, tha grupi menagjues.

“Ne menjëherë e zbutëm rrezikun dhe po punojmë me konsulentë të specializuar, duke marrë masat e duhura për të mbrojtur klientët dhe sistemet tona”, përfundoi kompania menagjuese e aeroporteve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion