Pamje virale/ Stuhia e fuqishme përfshin vendin e shenjtë, rrufeja godet Kullën ikonike të Sahatit (VIDEO)

Një stuhi e fuqishme përfshiu Mekën, duke krijuar një spektakël të rrallë në qiellin e qytetit të shenjtë mysliman. Në kulmin e motit të keq, një rrufe goditi Kullën ikonike të Sahatit, duke ndriçuar për pak çaste horizontin e errët.
Momenti spektakolar u kap nga fotografi Youssef Badjas, i cili publikoi videon në platformën X, duke e përshkruar mbrëmjen si “të paharrueshme”. Në pamje, rrufeja shfaqet me intensitet të madh pas kullës, ndërsa qielli mbi Mekë është pushtuar nga retë e dendura dhe stuhia.
الآن صاعقة تضرب #برج_الساعة بمكة pic.twitter.com/423e6pvHC9
— الفلكي مُلهَم هندي (@MulhamH) August 26, 2026
Aktiviteti i fortë elektrik u dokumentua edhe nga astronomi saudit Mulham Hindi, i cili publikoi fotografi dhe video të stuhisë. Sipas tij, gushti dhe shtatori janë periudha kur stuhitë janë të zakonshme në Mekë dhe në pjesën perëndimore të Arabisë Saudite.
Moti i keq preku edhe zonën përreth Xhamisë së Madhe, ku pamjet e publikuara nga Agjencia Saudite e Shtypit treguan pelegrinë dhe besimtarë duke kryer namazin e Jacisë nën shi.
Edhe autoritetet e Rajonit të Mekës publikuan pamje të rrufeve që ndriçonin qiellin mbi qytetin e shenjtë. Me një lartësi prej rreth 601 metrash, Kulla e Sahatit është një nga strukturat më të dallueshme të Mekës dhe një pikë referimi e horizontit të saj. Pikërisht për shkak të lartësisë dhe pozicionit dominues, ajo u kthye në protagonistin kryesor të pamjeve të stuhisë.
Videoja e momentit kur rrufeja godet kullën u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen për pamjet e jashtëzakonshme të krijuara nga stuhia mbi Mekë.


