Shefi i NATO-s në Kosovë: Serbia të bashkëpunojë për paqe dhe stabilitet!

Kosovë&Rajon

Shefi i NATO-s në Kosovë: Serbia të bashkëpunojë

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Mark Rutte, tha në Prishtinë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura.

“Për ta lëvizur këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjatë”, tha Rutte.

Sipas tij, normalizimi sjell më shumë stabilitet dhe siguri për mbarë rajonin. Në konferencën e përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Rutte deklaroi se stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor varet nga të gjitha palët, duke zgjedhur “diplomacinë në vend të dhunës”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Zgjidhja për paqe afatgjatë është politike”, tha shefi i NATO-s.

Gjatë vizitës në Prishtinë, shefi i NATO-s do të takohet me kryeministrin Albin Kurti. Rutte ka thënë në një intervistë për Al Jazeera Balkans një ditë më parë se, Kosova është shtet shumë me rëndësi dhe që NATO-ja ka prezencë të konsiderueshme përmes KFOR-it.

“Ka pasur zgjedhje, do të shohim se si do të formohet Qeveria e re, por kjo është pjesë e procesit demokratik. Nuk ka gjë të keqe”, ka thënë Rutte, duke shtuar se aleanca bën përpjekje të vazhdueshme që ky shtet të jetë në formën e vet më të mirë.

Ndërkaq presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se mbështet deklaratën e bërë një ditë më herët në Bosnje nga Rutte se në rajon nuk duhet të ketë vakume të sigurisë, sepse sipas saj, “historia ka dëshmuar se ato vakume shpesh janë keqpërdorur nga faktorët malinj”.

Osmani po ashtu foli edhe për Serbinë, të cilën e akuzojë se po minon “përpjekjet për paqe dhe stabilitet”. Me ndihmën e Rusisë dhe faktorëve të tjerë, presidentja kosovare, Beogradi po synon ta destabilizojë Kosovën.

Në këtë drejtim ajo përmendi sulmet e ndodhura viteve të fundit në veriun e banuar me shumicë serbe, përfshirë edhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023.

"Prania e trupave të NATO-s në Kosovë nuk është garanci vetëm për sigurinë tonë kundër çfarëdolloj përpjekje për cenimin e paqes dhe stabilitetit për të cilët të gjithë së bashku kemi punuar dhe sakrifikuar shumë gjatë", tha Osmani.

Sipas saj, mungesa e përgjegjësisë për këto sulme, për të cilën Osmani fajësoi Serbinë, ka inkurajuar Beogradin që "të vazhdojë me sulme nëpërmjet strukturave të tij paramilitare".

"Prandaj është e rëndësishme që bashkërisht ta fuqizojmë prezencën edhe të personelit edhe të mjeteve për ta mbrojtur kufirin në mënyrë që të parandalohet si hyrja e grupeve terroriste, ashtu edhe e armatimit të tyre të cilët kanë për qëllimin krijimin e konflikteve në rajonin tonë. Ashtu siç e ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump, politika e paqes përmes fuqisë është ajo që do të kuptohet më së miri në këtë rajon, e sidomos nga ata të cilëve mund t’iu shkojë mendja që të përdorin veprime destabilizuese", tha Osmani./ rel

ME TE LEXUARAT