Rëndohet situata në Deçan, 884 persona shkojnë në spital, ndërron jetë një qytetar

Një person ka ndërruar jetë si pasojë e helmimit masiv në Deçan të Kosovës. Mediat kosovare shkruajnë se numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ka shkuar në 884 persona. Ndërkohë dyshohet se shkak i helmimit mund të jetë uji i ujësjellësit, por megjithatë priten ende analizat mikrobiologjike të ujit. Kryetari Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, hedh dyshime se ngjarja mund të jetë e qëllimshme, ndërsa thotë se kjo është hera e dytë brenda një muaji që ndodhin helmime.
Rastet e helmimit filluan që para dy ditësh, ku persona nga fshatrat Irzniq, Prilep e Lugu i Branit, kërkuan ndihmë në spital, pas shfaqjes së simptomave, ndërsa dyshimet janë te uji për shkak se këto fshatra furnizohen të gjithë nga i njëjti ujësjellës. Edhe banorët janë shprehur se rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar dhe ka shumë probleme. Furnizimi me ujë në këto fshatra është ndërprerë deri në daljen e përgjigjes së analizave.


