Reagon Presidentja e Maqedonisë së Veriut pas thirrjeve antishqiptare: “Jemi të turpëruar, na goditën të gjithëve”

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka reaguar ashpër pas thirrjeve antishqiptare të bëra nga tifozë maqedonas gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar fundjavën e kaluar në Kumanovë.
Përmes një postimi në Facebook, presidentja u shpreh se “jemi të turpëruar”, duke theksuar se urrejtja e shfaqur në këtë ngjarje sportive ka goditur gjithë shoqërinë maqedonase.
“Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, që ndodh për të kush e di të satën herë, me të drejtë nuk ndalen reagimet ndaj incidentit të tmerrshëm në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por në fakt na goditën të gjithëve, madje edhe vetveten, dhe sërish jemi të turpëruar”, shkruan Siljanovska.
Presidentja theksoi se arenat sportive nuk duhet të kthehen në fusha urrejtjeje dhe gladiatorësh, por në hapësira për bashkim dhe respekt. Ajo shtoi se mënyra se si brohoritet mësohet në shtëpi dhe në shkolla, dhe shteti duhet të përballet seriozisht me kulturën e urrejtjes në sport.
“Maqedonia ka nevojë për një alfabet të ri – një alfabet të brohoritjes si kënaqësi sportive”, deklaroi Siljanovska.
Thirrjet si “Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, të bëra nga tifozët vendas, kanë ngjallur indinjatë të thellë në opinionin publik dhe përfaqësojnë retorikë të rrezikshme, me tone naziste e shfarosëse.
Ngjarja ndodhi në praninë e kryeministrit maqedonas dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë, çka ka ngritur pikëpyetje serioze për reagimin institucional ndaj gjuhës së urrejtjes dhe sigurisë në evente publike.


