Vendosi tritol në garazhin e “Visit të Garave”, autori futet në pyll për të humbur gjurmët – ja si u identifikua

Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e dyshuar të vendosjes së një sasie tritoli në garazhin e Elvis Kosovës, i njohur si “Visi i Garave”, ngjarje e ndodhur më 24 korrik 2025, në rrugën “Peti”, pranë zonës së Liqenit të Thatë.
Hetimet e kryera nga Komisariati Nr.1 kanë çuar në identifikimin e Klodian Stelit, 36 vjeç, nga Fushë-Kruja, si autor i dyshuar. Kamerat e sigurisë ndihmuan në ndjekjen e itinerarit të tij, ku u konstatua se pas vendosjes së lëndës plasëse, Steli ishte futur në pyllin pranë liqenit, ku qëndroi për rreth 30 minuta, për të humbur gjurmët. Më pas është larguar nëpërmjet një rrugice tjetër, duke u kthyer te automjeti i tij.
Mjeti që ka përdorur për lëvizje rezultoi i marrë me qira në Fushë-Krujë, fakt që çoi në identifikimin e tij nga policia. Autoritetet kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar Klodian Stelin, pasi mësohet se ai është larguar jashtë territorit të Shqipërisë ditën e ngjarjes.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
“Zbardhet autorësia e vendosjes së lëndës plasëse në garazhin e shtetasit E.K., ndodhur më datë 24.07.2025. Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar, shtetasi K.S., 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Gjendet dhe automjeti me të cilin është kryer krimi. Vijojnë përpjekjet për lokalizimin dhe ndalimin e tij.”
Elvis Kosova, me precedent penal
39-vjeçari Elvis Kosova, i njohur si “Visi i Garave”, ka qenë më parë në pranga. Në gusht të vitit 2024, ai u arrestua për përfshirje në një skemë mashtrimi dhe vjedhje të një automjeti luksoz Audi R8 me vlerë 200 mijë euro.
Sipas policisë në atë kohë, automjeti ishte marrë me qira nga shtetasi turk Yucehan Er, i cili kishte bërë më pas kallëzim të rremë për vjedhje. Hetimet zbuluan se makina ishte në përdorim nga Elvis Kosova dhe ishte fshehur në oborrin e një banese në fshatin Prush, ku u sekuestrua së bashku me 4 aparate celularë. Në këtë rast u shpall në kërkim edhe një 20-vjeçar, pronar i banesës.


