Pesë të arrestuar për masakrën e Reçakut, dyshohen si pjesëtarë të njësive speciale serbe

Kosovë&Rajon

Pesë të arrestuar për masakrën e Reçakut, dyshohen si

Pesë persona janë arrestuar të dielën në kuadër të një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në krime lufte gjatë masakrës së Reçakut në vitin 1999.

Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në fshatin Reçak, ku u vranë 42 civilë shqiptarë.

Gjatë aksionit janë kryer kontrolle në disa lokacione të ndryshme, ndërsa një person i gjashtë i dyshuar nuk është gjetur në vendbanimin e tij dhe mbetet në kërkim.

Prokuroria Speciale bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb dhe ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Katër prej tyre janë pensionistë, ndërsa njëri vazhdon të jetë i punësuar në sektorin postar në Serbi.

Sipas Policisë së Kosovës, njëri nga të dyshuarit u arrestua në pikëkalimin kufitar në Dheu i Bardhë, ndërsa katër të tjerët në lokacione të ndryshme brenda territorit të Kosovës.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente, uniforma, pajisje policore dhe materiale të tjera që konsiderohen me rëndësi për procesin hetimor.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përgëzoi institucionet e përfshira në operacion, duke theksuar se krimet e luftës nuk do të mbeten pa u ndëshkuar dhe se ndjekja e përgjegjësve do të vazhdojë pa kompromis.

Aksioni ka sjellë reagime edhe nga Lista Serbe, e cila i cilësoi arrestimet si të pabazuara dhe me prapavijë politike, duke pretenduar se ato synojnë të krijojnë pasiguri dhe presion ndaj komunitetit serb në Kosovë.

Ndërkohë, Prokurori Special Mir Morina deklaroi se hetimet për rastin “Reçaku II” kanë vijuar edhe pas ngritjes së aktakuzës në mungesë ndaj 21 personave në fund të vitit të kaluar. Sipas tij, gjatë muajve të fundit janë siguruar prova të reja, përfshirë videoincizime dhe materiale të tjera, që kanë bërë të mundur identifikimin e të arrestuarve.

Morina theksoi se hetimet nuk janë fokusuar vetëm te ekzekutuesit e drejtpërdrejtë të krimit, por edhe te organizatorët dhe urdhërdhënësit e tij.

Masakra e Reçakut konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë dhe luajti rol vendimtar në ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit serb në vitin 1999.

Gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë u vranë mbi 13 mijë persona, ndërsa më shumë se 1.500 vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur. Shumë nga viktimat shqiptare janë gjetur vite më vonë në varreza masive në Serbi, ku trupat ishin zhvendosur me qëllim fshehjen e krimeve të luftës.

ME TE LEXUARAT