Pamje nga vendi i shpërthimit në Zubin Potok, Mitrovica mbetet pa ujë, hetohet akt terrori

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën kryesore, në fshatin Vragë të Zubin Potokut.
Në vendin e ngjarjes ka dalë ministri i Brendshëm , Xhelal Sveçla, si dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Sveçla e ka cilësuar këtë rast si një akt terrorist, duke e quajtur një sulm ndaj një infrastrukture kritike.

“Pas lajmërimeve Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes. Meqë rast është parë se si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit është cilësuar si infrastrukturë kritike është dëmtuar”, ka thënë Sveçla nga vendi i ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e Policisë së Kosovës, të KEK-ut, të zjarrfikësve, të kërkim shpëtimit.
Nga ky shpërthim është dëmtuar një kanal i Ibër-Lepencit, çka ka shkaktuar rrjedhjen e pakontrolluar të ujit në atë zonë.
Kryetar i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri konfirmon për RTK-në që është e rrezikuar një shtëpi dhe që banorët e saj janë evakuuar.
Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë në Mitrovicë, ka thënë për RTK se pas shpërthimit prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Pas ngjarjes, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e Policisë, është në kontakt dhe bashkëpunim edhe me Prokurorinë Speciale dhe Policinë. Gjithashtu, është duke u punuar për zbardhjen e te gjitha rrethanave te këtij rasti”, tha Preteni.
Kurse Kompania Rajonale Ujësjellësi "Mitrovica", ka njoftuar se si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, nga i cili kanal qytetarët e Mitrovicës furnizohen me ujë është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Kjo kompani fton qytetarët që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.
Ndryshe gjatë dy ditëve të fundit, në veri, ka pasur disa incidente të tjera, ku në Zveçan u gjuajtën bomba në stacionin policor dhe në oborrin e komunës. Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se ka rritur masat e sigurisë në të gjithë vendin.


