Osmani: Prania e policisë në veri e ligjshme, Beogradi po përdor serbët

Kosovë&Rajon

Osmani: Prania e policisë në veri e ligjshme, Beogradi po përdor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po instrumentalizon popullsinë lokale serbe në veri të Kosovës, që sipas saj, “të krijuar vakum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie”.

Këto deklarata Osmani i bëri gjatë takimit me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Takimi mes Osmanit dhe Sarrazinit vjen një ditë pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë në veri të Kosovës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë serbët e mbledhur para ndërtesave të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, të cilët kundërshtuan hyrjen në zyrat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave.

“Presidentja Osmani ka theksuar se veprimet kriminale në veri të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe Kushtetutës dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie”, u tha në njoftimin e Presidencës kosovare.

Faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara kafajësuar Qeverinë e Kosovës për rritjen e tensioneve në komunat veriore dhe ka kërkuar që autoritetet në Prishtinë të shtensionojnë situatën.

Por, Osmani, sipas njoftimit, “ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm”.

E para e shtetit ka përsëritur qëndrimin se veprimet e Policisë së Kosovës kanë qenë legjitime.

Sarrazin më herët gjatë ditës është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai për mediat në Prishtinë ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që për ndonjë “budallallëk” të hidhet poshtë Marrëveshja drejt normalizimit të Kosovës, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në shkurt në Bruksel, dhe më pas në Ohër kanë arritur Aneksin për zbatimin e saj.

Ndërkaq, sipas njoftimit nga Zyra e Kurtit, kryeministri kosovar i ka thënë zyrtarit gjerman se është e rëndishme "respektimi i rezultateve të zgjedhjeve demokratike, duke shtuar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarë duhet të trajtohen si gjë normale".

Ndryshe, në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.

Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar./rel

ME TE LEXUARAT