Ministria e Shëndetësisë i përgjigjet akuzave: Spitali Covid-19 në Tetovë është ndërtuar sipas standardeve

Pas akuzave për cilësinë e ndërtimit të spitalit Covid-19, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut. Në një njoftim për mediat, Ministria thotë se Spitali modular në Tetovë ka qenë i ndërtuar sipas të gjitha standardeve dhe procedurave.
“Qendrat modulare të COVID -it, përfshirë spitalin në Tetovë, janë të hapura pas kontrolleve teknike. Gjatë ndërtimit të të gjitha spitaleve modulare, materialet e përdorura janë të certifikuara. Ministria e Shëndetësisë informon se qendra e COVID -it në Tetovë është projektuar me tre hyrje, korridoret janë të gjera 2.4 metra dhe parmakët e dritareve janë të ulëta për raste evakuimi.

Në objekt nuk është përdorur dru dhe të gjithë elementët e tjerë të nevojshëm për mbrojtje u respektuan. Gjatë lëshimit në përdorim, u bë një pranim i rregullt teknik. Gjatë ndërtimit ka procesverbale të rregullta të dokumentuara për vërejtje teknike të parëndësishme, silikonim i lajsnave në dysheme, nivelizim i sifonit në tualet, vazhdim i ulluqeve, etj.
Për këto kërkesa është vepruar dhe janë sanuar para lëshimit në përdorim dhe hospitalizimit të pacientëve. Të gjitha aspektet e çështjes duhet t’i nënshtrohen një hetimi të plotë dhe të shpejtë dhe sigurisht të ketë përgjegjësi nëse hetimi e tregon këtë”, thuhet në njoftim.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur një natë më parë, ku për pasojë ndërruan jetë 14 persona.


