Kurti: Nuk kemi asnjë problem me çfarëdo kandidati që mund të sjellë LDK-ja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë pengesë për kandidatët që propozon opozita për president.
Kurti u shpreh se LDK-së i mjafton të sigurojë 15 nënshkrime dhe pjesën tjetër të mbështetjes mund ta plotësojë mazhoranca.
“Vetëm le të na i sjellin 15 nënshkrime. Ne ja plotësojmë nënshkrimet sa i mungojnë”, deklaroi ai.
Megjithatë, Kurti nuk dha asnjë garanci për votë në Kuvend, duke kujtuar se votimi për president është i fshehtë dhe vendimi i secilit deputet është individual.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të hyrë në garë për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa çdo deputet mund të mbështesë vetëm një kandidat.


