“Kam vjedhur mbi 40 makina, kam bërë mbi 100 vepra penale” – Rrëfimi i pazakontë i 17-vjeçarit të burgosur

Kosovë&Rajon

“Kam vjedhur mbi 40 makina, kam bërë mbi 100 vepra penale”

Një 17-vjeçar i burgosur në Kosovë ka dhënë një rrëfim të pazakontë për jetën e tij kriminale, të nisur që në moshën 10-vjeçare. Aktualisht i dënuar me dy vjet burg për disa raste vjedhjesh, i mituri pretendon se ka kryer mbi 100 vepra penale, duke përfshirë vjedhje, grabitje, përdorim dhe shpërndarje droge, lëndime trupore dhe tentativë vrasjeje.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, ai tha se përdorimi i kokainës dhe marihuanës ka nisur që kur ishte vetëm 10 vjeç, i futur në një rreth të rrezikshëm. “Jam 17 vjeç, jam këtu që 8 muaj. Jam dënuar për vjedhje, më kanë mbetur edhe 1 vit e 4 muaj. Por kam bërë edhe shumë vepra të tjera që nuk janë përfshirë në dënim,” tha ai.

Sipas tij, përvoja që kishte fituar si ndihmës mekanik me të atin, e përdori më pas për të vjedhur makina të modeleve të ndryshme, përfshirë edhe një BMW M4 me vlerë mbi 30 mijë euro. “I kam mësuar si ndizen makinat me tela. I kam dokumentuar të gjitha – një lloj koleksioni personal në telefonin tim,” u shpreh i mituri. Deri tani, ai thotë se është ndëshkuar për vetëm rreth 10 nga mbi 40 automjetet që ka vjedhur.

Në dëshminë e tij, përmend edhe përfshirjen e një shoku të babait në shpërbërjen e automjeteve të vjedhura për pjesë këmbimi. Ai thekson se ky person e dinte se bëhej fjalë për makina të vjedhura, por gjithsesi i merrte, pasi i duheshin për servisin e tij.

“Jam penduar për gjithçka që kam bërë. Dua të dal nga burgu dhe të filloj një jetë normale,” tha ai në fund të intervistës.

ME TE LEXUARAT