Ish-deputeti Grabovci: Jam penduar vetëm për një votë, atë për themelimin e Gjykatës Speciale

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Grabovci, ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vite burgim për krime lufte. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Veseli me 18 vite, ndërsa Selimi me 13 vite. Aktgjykimi u shpall më 16 shtator 2026 dhe nuk është i formës së prerë.
Grabovci, i cili ka qenë një prej deputetëve që votoi pro themelimit të Dhomave të Specializuara, tha se në atë kohë kishte pasur besim të plotë te partnerët ndërkombëtarë dhe te pastërtia e luftës së UÇK-së.
“Unë jam njëri ndër deputetët që kam votuar pro Gjykatës, me besimin tek partnerët tanë, në besim të plotë në pastërtinë e luftës çlirimtare. Ato akuza dhe pretendime mbi bazën e të cilave është ndërtuar kjo Gjykatë, raporti i Dick Marty-t, kanë qenë akuza jo vetëm të papranueshme, por të paimagjinueshme”, u shpreh Grabovci.
Ai tha se është penduar për votën që kishte dhënë për themelimin e Gjykatës Speciale. “Kurrë në jetën time nuk jam penduar për veprimet që kam bërë, përveç votës që i kam dhënë për themelimin e kësaj Gjykate”, deklaroi ai. Grabovci theksoi se, sipas tij, lufta e UÇK-së ishte në kundërshtim me veprimet për të cilat janë dënuar ish-krerët e saj.
“Unë dhe çdo ushtar i UÇK-së kemi luftuar kundër diçkaje të tillë dhe jo për të bërë veprime të tilla”, tha ai. Duke komentuar funksionimin e Gjykatës Speciale, Grabovci pretendoi se ajo ka devijuar nga qëllimi për të cilin ishte themeluar. Ai gjithashtu përsëriti pretendimin se raporti i Dick Marty-t ishte hartuar nën ndikimin e shërbimeve serbo-ruse, pa paraqitur në këtë prononcim prova për këtë akuzë.
Në përfundim, Grabovci tha se do të angazhohet për t’u bërë thirrje edhe deputetëve të tjerë që kishin votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale që të tërheqin mbështetjen e tyre.
Ndërkohë, sipas aktgjykimit të shpallur në Hagë, trupi gjykues i gjeti katër ish-krerët përgjegjës për krime lufte që lidhen me ndalimin arbitrar të të paktën 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave.
Katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.


