Dialogu Kosovë- Serbi, Lajçak: Është thellësisht politike, asgjë teknike

Kosovë&Rajon

Dialogu Kosovë- Serbi, Lajçak: Është thellësisht

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet ndëmrjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, shkroi të martën se “çdo gjë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thellësisht politike dhe asgjë nuk është teknike”.

Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetin tëitter në fillim të takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili drejton delegacionin e Prishtinës që të mërkurën takohet me delegacionin e Beogradit për të përgatitur raundin e ri të bisedimeve në nivelin e lartë politik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që pritet të takohen më vonë gjatë këtij muaji, u takuan për herë të parë në Bruksel me 15 qershor në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave vendeve.

Nuk pati ndonjë përparim në takimin e parë përgjatë të cilit kryeministri Kurti tha se hodhi në tryezën e bisedimeve katër propozime, përfshirë atë që, “Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën”.

Më tej ai tha që pas njohjes së ndërsjellë, të dyja vendet duhet të zbatojnë reciprocitet dypalësh, duke krijuar për serbët në Kosovë këshillin e tyre kombëtar siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. Pala serbe refuzoi propozimet e kryeministrit Kurti dhe presidenti serb Vuçiç tha se zoti Kurti “erdhi duke mos u pajtuar për asgjë”.

“Delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet që i kanë nënshkruar shqiptarët, pra nuk duan fare të bisedojnë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

“Asociacioni nuk është për serbët por kundër Kosovës ashtu siç është dizajnuar, pra ne dëshirojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe t’i kenë të gjitha të drejtat sikur të gjithë të tjerët, pra ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar karshi pakicës, por në të njëjtën kohë nuk mund të lejojmë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës”, tha ndërkaq kryeministri Kurti.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj./VOA

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion