Dasma, lindje, humbje…/ Si ndryshoi jeta e katër familjeve të komandantëve të UÇK-së, në mungesë të tyre

Vendimi i Gjykatës së posaçme të Hagës për dënimin me burg për 4 ish-krerët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës ka prekur çdo shqiptar anekënd botës.
Por pas gjashtë viteve të paraburgimit në Hagë, sot historia e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk është vetëm ajo e një procesi gjyqësor.
Është edhe historia e katër familjeve që kanë vijuar jetën, janë rritur, janë martuar, janë bërë prindër e gjyshër me një vend bosh në tryezë....
Hashim Thaçi
Hashim Thaçi dhe bashkëshortja Lumnije kanë një djalë, Endritin. Endriti tregoi se ishte vetëm 21 vjeç kur babai shkoi në Hagë dhe se, që prej atëherë, i është dashur të marrë një pjesë të përgjegjësive të familjes.
Haxhi Thaçi, babai i Hashimit, vdiq në moshën 87-vjeçare, ndërsa Hashimi nuk u lejua të merrte pjesë në varrim.
Kadri Veseli
Kadri Veseli dhe bashkëshortja Violeta kanë katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Kur ai u dërgua në Hagë në vitin 2020, ata ishin ende të mitur ndërsa sot janë të rinj.
Për këtë familje, vitet e Hagës sollën edhe humbje të tjera. Veseli humbi të dy prindërit gjatë kohës së paraburgimit dhe mori leje të posaçme për t’i përcjellë në ceremonitë mortore.
Rexhep Selimi
Rexhep Selimi dhe bashkëshortja Shqipe kanë dy fëmijë, Aresin dhe Ersën që sot janë 19 dhe 16 vjeç. Shqipja nuk është thjesht bashkëshortja e një ish-komandanti të UÇK-së. Ajo vetë ka qenë pjesë e luftës.
Jakup Krasniqi
Ndoshta historia më e pazakontë familjare është ajo e Jakup Krasniqit. Ai ka katër fëmijë dhe gjatë viteve të paraburgimit është bërë gjysh katër herë.
Vetë Krasniqi ka treguar se ka përjetuar nga larg lindjet e nipërve e mbesave, fejesat dhe martesat e fëmijëve.
Në vitin 2022, djali i tij Altini u martua ndërsa Jakupi ndodhej në Hagë. Familja e ndoqi ceremoninë duke e pasur babanë të pranishëm vetëm përmes teknologjisë.
Një vit më vonë vajza e tij Gresa shkoi në ambientet e paraburgimit për të marrë bekimin e babait për martesën.


