Beogradi duartëroket padrejtësinë – Vuçiç njofton konferencë të jashtëzakonshme pas 81 vjetëve burg për ish-krerët e UÇK-së

Kosovë&Rajon

Beogradi duartëroket padrejtësinë – Vuçiç

Pas vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së, vëmendja zhvendoset në Beograd, ku presidenti Aleksandar Vuçiç do t’i drejtohet publikut këtë mbrëmje në orën 18:30. Presidenca serbe ka njoftuar se deklarata do të lidhet me vendimin e Gjykatës Speciale dhe situatën në rajon.

Por dalja e Vuçiçit vjen edhe pas një parashikimi të tij që tashmë është rrëzuar nga vetë vendimi i Hagës. Ditët e fundit, presidenti serb kishte pretenduar se kishte marrë informacion nga shërbimet e tij se Hashim Thaçi do të dënohej me një masë që praktikisht do të mbulonte kohën e kaluar në paraburgim. Sot, ish-presidenti i Kosovës u dënua me 25 vite burg.

Në total, Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vite burg. Bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë, ndaj të cilit palët mund të ankohen.

Ndërkohë, mënyra se si është pritur vendimi në Serbi ka qenë e fortë. Mediat serbe e kanë shoqëruar raportimin me formulime si “të ashtuquajturit” ish-krerë të UÇK-së, ndërsa disa prej tyre kanë përdorur edhe gjuhë dukshëm më të ashpër.

Tashmë, sytë janë te deklarata e Vuçiçit në orën 18:30. Presidenti serb pritet të flasë për aktgjykimin e Hagës dhe zhvillimet që mund të pasojnë në Kosovë e rajon.

Në një ditë kur Haga ka dhënë vendimin e saj, Beogradi pret fjalën e Vuçiçit.

ME TE LEXUARAT