Artan Grubi strehohet në Shqipëri? Zv.Kryeministri i Maqedonisë së Veriut: Po punojmë me Interpolin për kapjen e tij

Kosovë&Rajon

Artan Grubi strehohet në Shqipëri? Zv.Kryeministri i Maqedonisë

Artan Grubi nuk është më në Kosovë, por në Shqipëri. Kjo u deklarua nga zv.kryeministri Izet Mexhiti, sipas të cilit arratisja e Grubit tregon se ai është fajtor dhe se një ditë do të dalë para organeve të drejtësisë.

Mexhiti nuk dha më shumë detaje, por shtoi se është detyrë e Ministrisë së Punëve të Brendshme që ka bashkëpunim me Interpol-in, për t’a gjetur dhe rikthyer në Maqedoninë e Veriut për t’u përballur me drejtësinë.

Nga VMRO-DPMNE edhe sot akuzuan LSDM-në se gjatë kohës së tyre në pushtet e kanë lejuar Grubin që të vjedhë.

“LSD është fajtore për shkak se Grubi vidhte pa u sanksionuar, të gjithë e dinin këtë, askush nuk guxonte ta dënonte. Është e trishtë të shohësh se si tani LSD me të gjitha forcat po mundohet të shpik skenarë, kur ata ndanin pushtetin, kishin frikë ta përmendnin Grubin, e jo më ta thirrin në përgjegjësi.

Edhe pse të gjithë kishin njohuri për krimin e Grubit, edhe pse VMRO-DPMNE-ja dhe mediat e thirrnin LSD-në si pushtet, ato nuk ndërmorën asgjë për shkak se për ato ishte e rëndësishme që të qëndrojnë në pushtet”, tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.

Por LSDM e drejton gishtin e akuzave drejt Toshkovskit i cili, siç thonë, e ka lëshuar Grubin që të arratiset nga vendi.

“Të kapur në këtë skandal të madh, pushteti fillimisht u përpoqën t’ia hedhin fajin baterive të kamerave, ndërsa tani po licitojnë se ku është Grubi, në Kosovë apo Shqipëri.

Kufiri i Kosovës është i shoshitur, i hapur për të ikur kriminelët. Zyrtarët qeveritarë duhet të marrin përgjegjësinë në vend që të bëjnë oferta. Për arratisjen e Grubit, d.m.th. për lëshimin jashtë kufijve të shtetit, Toshkovski tashmë duhet të kishte dhënë dorëheqje”, thonë nga LSDM.

Grubi u arratis nga vendi para nje jave duke kaluar kufirin në Bllacë. Pasi shkroi në profilin e tij në Facebook se nuk ka ikur dhe do të kthehet shumë shpejt, që atëherë ka humbur çdo gjurmë. Për të si dhe për ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami janë lëshuar urdhërarreste.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion