Këngëtarja e njohur nga Kosova mesazh Edi Ramës: Studentët duhen dëgjuar

Aktualitet

Këngëtarja e njohur nga Kosova mesazh Edi Ramës: Studentët
Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Shkurte Fejza, i është drejtuar me një letër publike emocionale kryeministrit Edi Rama.

Ky reagim vjen në një moment mjaft kritik, ndërsa protesta e studentëve dhe gjimnazistëve ka hyrë në ditën e saj të katërt dhe është shtrirë në disa qytete të vendit.

Përmes një mesazhi prekës, artistja i bën thirrje kreut të qeverisë që të dëgjojë zërin e të rinjve që ndodhen në sheshe.

Ajo nëgzon se studentët nuk duhet të shihen si kundërshtarë, por si e ardhmja ku mbështetet vetë kombi. Me ndjenjën e një nëne dhe një artisteje, Fejza kërkon nga udhëheqësit gjetjen e një rruge mirëkuptimi dhe dialogu për të zgjidhur situatën e tensionuar. Sipas saj, madhështia e një drejtuesi matet me gatishmërinë për të dëgjuar dhe për të ndërtuar ura besimi me qytetarët.

Në fund, këngëtarja uron që urtësia e qetësia të mbizotërojnë mbi ndarjet, në mënyrë që shpresa e të rinjve shqiptarë të mos shuhet.

Postimi: 

Një lutje me zemër për Shqipërinë…  

I NDERUAR KRYEMINISTËR,z.EDI RAMA

Po ju drejtohem me respekt dhe me zemrën e një artisteje shqiptare, por mbi të gjitha, me ndjenjën e një nëne që dëshiron ta shohë rininë e vendit të saj të jetojë me shpresë, dinjitet dhe besim në të ardhmen.

Shqipëria është më e madhe se secili prej nesh. Ajo është shtëpia jonë e përbashkët, është amanetai i të parëve dhe ëndrra e fëmijëve tanë.

Kur studentët ngrenë zërin për shqetësimet e tyre, le t’i dëgjojmë me vëmendje, pa paragjykime dhe pa i parë si kundërshtarë. Ata janë bijtë dhe bijat e Shqipërisë, janë rinia ku mbështetet e ardhmja e këtij vendi. Pas çdo studenti që kërkon zgjidhje, qëndron një familje me shpresa, sakrifica dhe ëndrra.

Zoti Kryeministër, ndonjëherë madhështia e udhëheqjes nuk qëndron vetëm në vendimet që merren, por edhe në gatishmërinë për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të gjetur dorën e pajtimit.

Ju lutem, gjeni një rrugë mirëkuptimi, një zgjidhje të drejtë e të arsyeshme, që u jep studentëve shpresë dhe familjeve qetësi. Një zgjidhje që nuk e thellon ndarjen, por ndërton ura besimi mes institucioneve dhe qytetarëve.

Asnjë fitore nuk është më e çmuar se mirëqenia e popullit dhe asnjë krenari nuk është më e madhe se ajo që buron nga dëgjimi i zërit të qytetarëve.

Si artiste, jam mësuar që kënga t’i bashkojë njerëzit edhe kur fjalët nuk mjaftojnë. Sot, dëshira ime është që edhe fjala të shërbejë si urë bashkimi, jo si shkak për ndarje.

Shqipëria ka nevojë për qetësi, urtësi, drejtësi dhe zemërgjerësi. Ka nevojë që të rriturit t’i dëgjojnë të rinjtë dhe që shpresa të mos shuhet në sytë e tyre.

Me respekt për institucionet, me dashuri për popullin dhe me lutjen që të gjendet një zgjidhje e mirë për të gjithë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe çdo shqiptar që dëshiron një të ardhme më të mirë për fëmijët e vet!   

ME TE LEXUARAT