Ka veshur mbi 30 emra ndërkombëtarë nga Hollywood-i në Lindjen e Mesme, Valdrin Sahiti zbulon sekretet e suksesit

Stilisti i njohur, Valdrin Sahiti, ka qenë mbrëmjen e djeshme i ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ka zbuluar sekretet e tij të suksesit.
Ai ka veshur gratë e suksesshme të Hollywood-it ndër vite, duke nisur nga Beyonce, Jennifer Lopez, Mariah Carey, Nicki Minaj, Cardi B, Kylie Jenner, Khloe Kardashian, Rita Ora, Paris Hilton dhe Bebe Rexha. Mbi 30 emra ndërkombëtarë ka veshur me vite, nga Hollywood në Lindjen e Mesme.
Duke folur për suksesin e tij, Sahiti u shpreh se ka “filluar në momentin që kufijtë e vendlindjes nuk kanë qenë kufijtë e ambicieve të mia”.
“Sepse jo çdo vendlindje ka hapësirë për mendimin e lirë dhe jo çdo mendim i lirë rikthehet në ambicie. Unë mendoj që, mbase kam filluar dhe shumë i ri, kjo ka qenë ndër fazat kryesore të kalimit të kufijve në ambicie, në mendje. E pastaj kur e kam bindur veten se unë mendoj se ‘unë mund ta bëj’, e kam bërë”, tha stilisti i njohur.
I pyetur nëse ka patur një buxhet, pra thjesht e ka çuar veshjen apo dhe ka paguar që ata t’a veshin, Sahiti u përgjigj:
“Realisht në këtë pikë, në standardet e industrisë sonë, nuk mendoj që një brand shqiptar, aq më pak kosovar, mund të ketë një buxhet, i cili mbulon veshjen ose PR direkt në nivelin e high celebrity. Në mënyrën time ka funksionuar në mënyrën organike sepse në 2017 kam patur një debutim global që ka rrjedhë si pasojë e Instagram dhe teknologjisë dixhitale. Pra ka depërtuar talenti. E vërteta është se talenti depërton por rikthimet e tyre te brendi, pastaj kanë validuar seriozitetin e brand-it. Nuk ka qenë e lehtë në atë kohë që brandi të jetë serioz dhe ende vazhdon të mos jetë, sepse vendi nga vjen brandi ka pasur vështirësi që ne i dimë të gjithë, e vazhdon të ketë vështirësi që nga mosnjohja dhe ekzistenca shtetërore e deri te mosnjohja e pagesave elektronike. Ka qenë dyfish më e vështirë në biznes dhe në validim”.
Ndërsa i pyetur se ku peshon më shumë suksesi mes talentit dhe këmbënguljes, stilisti i njohur u shpreh se konsistenca dhe disiplina janë dy gjërat që mbështesin talentin dhe i japin asaj formë.
“Unë besoj fuqishëm në talent dhe mendoj që talenti është dhuntia që natyra i ofron njeriut në këmbim të përsosmërisë së njeriut. Por besoj fuqishëm në anën tjetër, që këmbëngulja dhe disiplina janë faktori numër një i suksesit. Me talentin lindim dhe jo të gjithë e kanë, është një dhuratë nga natyra, një prekje e Zotit. Këtë e kam dëshmuar nga vetja, nga ekipi, nga njerëzit që kam punuar, nga kolegë, nga këngëtarët, nga njerëzit që rrin, e kupton që njerëzit e talentuar nuk janë njerëz të zakonshëm. Por mendoj që konsistenca dhe disiplina janë dy gjërat kryesore që e mbështesin talentin dhe i japin talentit formë”, tha Sahiti.


