I kërkuar nga drejtësia shqiptare, Franca refuzon lirimin e Ermal Beqirit nga burgu

Biznesmeni shqiptar, Ermal Beqiri, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Francë, pasi Gjykata e Apelit në Amiens ka refuzuar kërkesën e tij për lirim.
Beqiri kërkohet nga autoritetet shqiptare në kuadër të një hetimi për tenderat publikë, ndërsa drejtësia franceze po shqyrton kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Sipas gazetës franceze “Le Courrier Picard”, vendimi është marrë këtë të premte, më 23 tetor, pasi biznesmeni u paraqit sërish përpara gjykatës, vetëm tri ditë pas shqyrtimit të mëparshëm të kërkesës për lirimin e tij.
Gjyqtarët vendosën të mos e pranojnë kërkesën, duke bërë që Beqiri të mbetet në qeli deri në vijimin e procedurave gjyqësore për ekstradimin e mundshëm.
Po këtë ditë, Dhoma e Hetimit në Amiens shqyrtoi edhe çështjen në themel të kërkesës për ekstradim të paraqitur nga autoritetet shqiptare.
Ermal Beqiri, pronar i kështjellës në Berneuil-en-Bray, në departamentin francez të Oise, u arrestua në fund të korrikut në Méaulte, pranë Albertit. Arrestimi erdhi pasi biznesmeni kishte fluturuar me avionin e tij mbi centralin bërthamor të Penly, në rajonin e Seine-Maritime.
Ndërkohë, emri i tij është përfshirë në një hetim të drejtësisë shqiptare lidhur me kontratat publike. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij, por vendimi përfundimtar për këtë çështje mbetet në duart e institucioneve gjyqësore franceze.
Procedurat ligjore vijojnë, ndërsa Beqiri do të qëndrojë në paraburgim deri në një vendim të mëtejshëm të autoriteteve përkatëse.


